ZYRTARE: Shqipëria luan me këtë Përfaqësuese të njohur më 13 nëntor

Sport October 18, 2017 - 16:56

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e ka konfirmuar zyrtarisht sot kundërshtarin për miqësoren e nëntorit për ekipin kombëtar, shkruajnë mediat shqiptare.

Kështu, skuadra përfaqësuese e futbollit nuk do të luajë me Norvegjinë, siç ishte paralajmërur ditë më parë, por ndeshjen miqësore të muajit të ardhshëm do ta zhvillojë me ekipin kombëtar të Turqisë në Antalia, më saktësisht në datën 13 nëntor.

Duke ju përmbajtur edhe kërkesave të trajnerit Christian Panucci për të patur vetëm një ndeshje miqësore në këtë periudhë, u arrit edhe marrëveshja përkatëse.

Tashmë mes dy federatave është gjetur akordi përfundimtar dhe zyrtarisht FSHF konfirmon zhvillimin e miqësores me skuadrën përfaqësuesen të Turqisë.

Trajneri Christian Panucci do të grumbullojë ditë përpara skuadrën për përgatitjen e kësaj ndeshjeje miqësore, e cila do të jetë e vetmja për muajin nëntor. 

Shqipëria kthehet të luajë përsëri pas disa vitesh një miqësore me kombëtaren e Turqisë. Ballafaqimet zyrtare me Turqinë i përkasin vitit 2005, në eleminatoret për Kampionatin Botëror.

Në ballafaqimet mes dy skuadrave, Shqipëria dhe Turqia janë ndeshur 9 herë së bashku, me bilancin 3 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje, njofton Federata e Futbolit Shqiptar. /Albeu.com/