Rikthimi i Januzit

Sport October 17, 2017 - 12:30

FC Prishtina e kishte transferuar Ahmed Januzin vitin e kaluar me shpresën dhe synimin që ai do ta udhëheqë sulmin me gola të njëpasnjëshëm, shkruan sot gazeta Zëri.

Mirëpo sulmuesi i njohur kosovar, i cili kishte bërë karrierë jashtë vendit, duke luajtur madje edhe për Kombëtaren Shqiptare, shkaku i lëndimeve nuk ka arritur ta tregojë veten deri tash tek Bardhekaltrit.

Image

Megjithatë, sulmuesi vushtrrias e tregoi klasin e tij dhe demonstroi se ende është “i gjallë” me dy golat e realizuar në Mitrovicë në fitoren 2:0 ndaj Trepçës ’89 të dielën.

Januzi, i cili e shfrytëzoi për mrekulli mungesën e Basit Khalidit ndihet mirë që e ndihmoi Prishtinën ta arrijë fitoren e radhës, ndërsa synon të shënojë edhe më shumë gola këtë sezon.

“Është fitore shumë e rëndësishme për ne. Golat dhe fitorja kanë ardhur si pasojë e gjithë këtyre stërvitjeve intensive si gjatë javës, ashtu dhe tërë muajit. Kuptohet që është shumë e rëndësishme që më erdhën golat, por më i rëndësishëm është rezultati dhe tani jemi paksa më të lirë”, ka thënë fillimisht ish-futbollisti i Vorsklas për uebfaqen zyrtare të klubit kryeqytetas.

Image

“Ndërsa, kuptohet që kur nuk jap gola edhe mund të humbet besimi dhe nuk e jep lojën më të mirë. Pra, është shumë e vështirë kur nuk e mbërrin formën që duhet, por me lojën e mirë të vazhdueshme, me angazhimin maksimal të gjithsecilit, atëherë as golat nuk kanë çare pa ardhur. Rezultatet e mira e fusin edhe sulmuesin në formë”, vazhdoi Januzi, i cili ka ambicie që me prishtinasit sivjet të shpallet kampion dhe të garojnë përsëri në Evropë.

“Normalisht, kjo ndeshje harrohet menjëherë. Ne do të luftojmë tutje, ambiciet tona janë të jemi përpara”, përfundoi Januzi.

Image

Prishtinasit shpresojnë që më në fund do ta shohin Ahmedin e vërtetë, i cili, në formën e tij më të mirë, është i pandalshëm për kundërshtarët.

Pas 10 xhirosh të zhvilluara këtë sezon në Superligë Prishtina gjendet në vendin e tretë në tabelë me 18 pikë të grumbulluara, vetëm dy më pak se lideri, Llapi.

Bardhekaltrit kanë 5 fitore, 3 barazime e 2 humbje, duke shënuar 9 gola e duke pësuar 6 sosh. /Zëri/