Përforcon Bosnjën, mendjen te Kosova

Sport October 17, 2017 - 12:01

Paraqitjet mbresëlënëse për Kosovën ia kanë hapur rrugët Violant Sylejmanit, shkruan sot gazeta Zëri.

Boksieri gjilanas u ka rënë në sy boshnjakëve, të cilët e kanë ftuar për ta përfaqësuar Bosnjë e Hercegovinën në ligën regjionale, e cila është formuar së fundmi.

Në këtë ligë marrin pjesë vendet e rajonit si: Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ndërsa Sylejmani i është bashkuar Bosnjës si përforcim.

Edhe pse e përfaqëson një vend tjetër, ai thotë se e jep maksimumin nga vetja dhe e kryen punën e tij në ring. Madje, e ka nisur mjaft mirë këtë eksperiencë, me një fitore “ekspres” në Maqedoni.

Image

“Gjatë turneut të fundit që e kemi zhvilluar në Bosnjë i kam rënë në sy selektorit të Bosnjës, i cili më ka njohur edhe më herët përmes kampionateve ndërkombëtare, mbi të gjitha kur isha në Baku. Aty isha me Mehmet Bogujevcin dhe me trajnerin Musli Zymberi. Prandaj ai më ftoi që t’i bashkohem ekipit të tij dhe unë pranova me kënaqësi. Edhe Federata e Boksit të Kosovës e mbështeti këtë ide”, deklaroi Sylejmani për “Zërin”.

Sipas tij, boshnjakët e kanë ftuar pasi nuk kanë pasur boksier cilësor në kategorinë 64 kilogramë, duke e konsideruar atë si boksierin ideal për ta mbuluar këtë kategori.

Dhe deri më tash Sylejmani nuk i ka zhgënjyer aspak.

“Në Ligën Regjionale kam filluar mjaft mirë. Meçin e parë e kam pasur në Maqedoni, ku e mbylla meçin për 1 minutë e 40 sekonda. Tash më 21 tetor e kam meçin e radhës në Bosnjë”, shtoi Violanti.

Në ligën regjionale për të bërë përvojë

22-vjeçari i mbetet besnik boksit kosovar, por thotë se i është bashkuar Bosnjës vetëm për të bërë përvojë në ligën regjionale, në mënyrë që të jetë i gatshëm për sfidat që e presin në karrierë.

“Unë kam punuar shumë për boks. Mirëpo në Kosovë e kam problem sepse aty nuk po kam me kë të boksoj. Pra unë po boksoj në Ligën Regjionale për të bërë përvojë më të madhe dhe me këtë rast që të fitoj medalje në kampionatet evropiane dhe botërore, sigurisht duke e përfaqësuar Kosovën”, vazhdoi ai.

Image

Sylejmani zbulon se drejtuesit e boksit boshnjak i kanë propozuar atij të zhvendoset përfundimisht në Bosnjë e Hercegovinë për të jetuar atje, por ai e ka refuzuar një ofertë të tillë, edhe pse do të merrte rrogë të rregullt.

“Më kanë ftuar të shkoj të stërvitem dhe të jetoj atje, duke m’i mbuluar të gjitha shpenzimet. Por ju thashë që momentalisht nuk jam i interesuar për një gjë të tillë”, tregon Sylejmani.

Synon Olimpiadën

Sylejmani e kishte përfaqësuar Kosovën në lojërat evropiane “Baku 2015”, por gjilanasi synon ta bëjë hapin më të madh në karrierë.

“Sigurisht, dua ta përfaqësoj Kosovën në garat më të mëdha. Synim imi është edhe Olimpiada”, përfundoi ai. /Zëri/