Ekipi i parkingut

Sport October 13, 2017 - 15:07

West Hami kishte arritur suksese të mëdha gjatë viteve të ’60-ta. Klubi londinez kishte fituar “FA Cup” dhe Kupën e Fituesve të Kupave. Harry Redknapp, i cili ishte pjesë e këtij ekipi, rikujton kohërat kur futbollistët e njohur të kësaj skuadre luanin në parkingun “Chadwell Heath”. Redknapp tregon periudhën e artë të skuadrës londineze, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Parkingu i makinave afër stadiumit “Upton Park” nuk është një vend, i cili lidhet me triumfin e Anglisë në Kupën e Botës apo suksesin e West Hamit gjatë viteve të ’60-ta të shekullit të kaluar, por ishte një vend ku djemtë e rinj si Harry Redknapp shikonin dhe luanin së bashku me Bobby Moore. “Çekanët” fituan “FA Youth Cup” në vitin 1963, “FA Cup” në vitin 1964, Kupën e Fituesve të Kupave në vitin 1965, duke mposhtur Munich 1860 në “Wembley” para 97.000 shikuesve dhe pastaj humbi në finalen e Kupës së Ligës ndaj West Bromwichit në vitin 1966.

Ata gjithashtu arritën në gjysmëfinalen e Kupës së Fituesve të Kupave në vitin 1966 dhe disa prej përgatitjeve për atë aventurë të suksesshme erdhën nga parkingu i klubit. Ishte një fushë stërvitjeje e pazakontë, por Ron Greenwood, i cili ishte trajner i West Hamit dhe më pas edhe i përfaqësueses angleze, ishte një njeri i cili ia pa “hairin”.

“Si profesionistë ne duhet të kryenim punët tona. Ne stërviteshim në mëngjes dhe pastaj ktheheshim në ‘Upton Park’ për t’i marrë fanellat për ditën e nesërme. Lavanderia vinte erë të keqe nga djersa, por duhej të siguroheshim që ato ishin të pastra, të thara dhe të gatshme për t’u përdorur. Pas kësaj ishim të lirë, por ne ishim të rinj dhe të çmenduar pas futbollit kështu që shkonim në hajatin para ‘Upton Park’-ut për të luajtur”, thotë Redknapp.

“Ky ishte fillimi i asaj që do të quhej një ekip i jashtëzakonshëm i të rinjve të West Hamit, edhe pse trajneri i ekipi të parë, Ernie Gregory, na shihte më shumë si ngatërrestarë. Ai erdhi një ditë dhe na tha që të largoheshim, na thoshte që do të shkonte në shtëpi dhe që të njëjtën gjë duhet ta bënim edhe ne”, shprehet ish-trajneri i Tottenhamit.

“Kur Ron e zbuloi këtë gjë, ai e frikësoi Ernien. ‘Derisa duan që të qëndrojnë këtu, derisa ata janë duke bërë një gjë të dobishme, derisa po luajnë futboll, ne do të qëndrojmë me ta sa të dëshirojnë’, kishte thënë Ron. Atij i pëlqente fakti që fillestarët donin vetëm të luanin. Ne nuk shkonim në vende ku s’duhej, kështu që çfarë të keqe kishte? Ron ishte një njeri i denjë i futbollit”, shprehet Redknapp.

Redknapp ishte 16-vjeçar në vitin 1964, një pjesëtar i skuadrës së re që mposhti Liverpoolin një vit më herët në një finale të shtyrë për shkak të motit të keq. Dimri i vitit 1963 ishte shumë i ftohtë, rundi i tretë i “FA Cup” mori 65 ditë për t’u kompletuar.

Redknapp shkroi në librin e tij “Një njeri eci në fushën e lojës”: “Më kujtohet dimri i tmerrshëm i vitit 1964, duke pastruar borën nga fusha e ‘Upton Park’-ut me pjesën tjetër të skuadër në mënyrë që ne të stërviteshim”.

“Tani nëse një fushë e stërvitjes nuk është sikur ‘Wembley’ lojtarët ankohen. Lojtarët modernë ankohen për gjithçka. Ata hyjnë në një dhomë, e cila përbëhet prej pajisjeve me vlerë 200.000 funtesh dhe gjejnë ndonjë behane, s’ka banane në pjatën e frutave apo që temperatura nuk është e duhur”, shton anglezi.

Nëse një parking i ftohë dhe i lagur në vitin 1964 është superior ndaj akademisë së sotme të West Hamit është debat i hapur edhe gjatë ditëve të sotme. Sigurisht që ish-futbollistët kishin një formë ndryshe të edukimit në futboll dhe ajo i shërbeu për mirë West Hamit./Zëri