Largohet me kokën lart

Sport October 13, 2017 - 12:42

Albert Bunjaki po largohet nga Përfaqësuesja e Kosovës me kokën lart. Përzgjedhësi thotë se kreu punë të madhe në kohëra të vështira dhe se e kompletoi 100 për qind misionin e tij gjatë kontributit 15-vjeçar në futbollin kosovar. Thotë se po e lë të gatshëm një ekip me potencial, i cili mund të kualifikohet në “Evropianin 2020”. Gjithashtu nuk e përjashton mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me FFK-në, momentalisht në ndonjë pozitë tjetër, e në të ardhmen edhe në pozitën që po e lë tash, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Përfundimi i eliminatoreve për “Botërorin 2018” e ka mbyllur edhe epokën e Albert Bunjakit në krye të Përfaqësueses së Kosovës. Trajneri kosovar thotë se po largohet me kokën lart pas kontributit 15-vjeçar që e dha për futbollin kosovar, duke përfshirë këtu edhe drejtimin e Përfaqësueses.

Bunjaki, i cili një pjesë të mirë të jetës e kaloi në Suedi, insiston se po e lë prapa një ekip solid me të ardhme të ndritshme, i aftë për të arritur suksese në të ardhmen.

Disa prej njerëzve i janë gëzuar largimit të tij e të tjerë janë mërzitur, sidomos futbollistët, të cilët vazhdimisht po shkruajnë statuse në rrjetet sociale, duke e falënderuar për bashkëpunimin dhe për punën e përbashkët që e bën për Kosovën.

“Njerëzit që kanë qenë afër meje e kanë kuptuar situatën. E dinë çka kemi bërë, qysh është ndërtuar kjo skuadër. Të gjithë kemi qejf më shumë e më shumë, por ndonjëherë ndikojnë faktorët e ndryshëm. Mjafton ta shikoni se ku kemi qenë para një viti dhe ku jemi tash. Po e lë skuadrën më të re në botë për nga mosha dhe nga eksperienca e fituar. I kemi afruar lojtarët më potencialë si: Valon Berisha, Rashica, Celina, Paqarada, Rrahmani, Halimi etj,. Unë jam shumë krenar me punën e bërë, mbi të gjitha për faktin se korrupsioni në Përfaqësuese ka qenë zero për qind. Ndërkohë, e kam arritur 100 për qind qëllimin tim”, thotë Bunjaki për “Zërin”.

Ai e pranon se do të donte ta shijonte një fitore në eliminatore, por shton se kjo ishte e vështirë kur kihen parasysh emrat e kundërshtarëve si: Ukraina, Kroacia, Turqia, Islanda e Finlanda, edhe pse shton se ishte shumë afër ta arrinte një gjë të tillë. Ai megjithatë i kujton me ëndje ndeshjet me Haitin e Shqipërinë dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar.

Mund të kthehet

Bunjaki ka kontratë me FFK-në deri në korrik të vitit të ardhshëm, por tregon se ndeshja me Islandën ishte e fundit në të cilën e drejtoi Kosovën. Megjithatë, këtu mund të mos ketë marrë fund gjithçka rreth bashkëpunimit të tyre. Ai nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen ta drejtojë përsëri Përfaqësuesen.

“Do të bisedojmë. Nëse e shohim mundësinë për të bashkëpunuar do të vazhdojmë, nëse më ofrohet një post interesant që u përshtatet qëllimeve të mia, vizionit tim dhe nëse është ekonomikisht i mirë. Unë mund të vazhdoj të kontribuoj. Unë nuk i mbyll asnjëherë dyert. Andaj, ndoshta në të ardhmen mund ta drejtoj prapë Përfaqësuesen. Varet prej zhvillimeve”, thotë Bunjaki.

Sipas tij, Përfaqësueses së Kosovës i nevojitet një trajner që e njeh mentalitetin e Ballkanit, rrugëtimin e Kosovës ,etj., ndërkohë që është i gatshëm të japë ndihmë për të gjitha informatat.

Ai e ka një raport prej 1.500 faqesh, të cilin do t’ia dorëzojë FFK-së për krejt punën e bërë në Përfaqësuese që prej vitit 2009. Thotë se ka punuar me letra, me ndjenja dhe në mënyrë profesionale. Po ashtu, e përshkruan veten si një njeri me vizion dhe me qëllime të qarta, prandaj nëse ekziston interesimi i të dyja palëve për bashkëpunim të mëtutjeshëm është i gatshëm dhe në dispozicion, shkruan "Zëri".

Kosova mund të shkojë në Evropian

Bunjaki e kishte përsëritur shpesh faktin se kualifikimet e Botërorit ishin një mundësi ideale për Kosovën që të bëjë përvojë dhe për t’u ngritur në renditjen e FIFA-s, ndërkohë që fokusin e kishte tek “Evropiani 2020”, ku besonte se do ta dërgojë ekipin Verdhekaltër. Ai beson ende se Kosova mund të shkojë në Evropian. “Në aspektin sportiv, Kosova ka potencial. Është në grupin e 16 kombëtareve më të dobëta dhe është një shans shumë real për të shkuar në Evropian, dy herë më i madh seç ka qenë. Brenda një viti apo dy Përfaqësuesja do të jetë shumë më e fortë”, nënvizoi ai.

Deri më tash ai mendon se Përfaqësuesja ka çaluar më së shumti në aspektin organizativ dhe shton se arsyeja se përse nuk mori më shumë pikë në kualifikimet e Botërorit ishte grupi më i vështirë i mundshëm në të cilin përfundoi skuadra e tij./Zëri