Sport

Fitore e madhe e Liburnit në Evropë

Fitore e madhe e Liburnit në Evropë
12 tetor 2017 • 19 : 36

Liburni vazhdon ta bëjë krenare Kosovën. Skuadra gjakovare e ka fituar ndeshjen e parë të “Main Round” të UEFA Futsal Cup pasi e ka mposhtur skuadrën franceze Garges Djibson me rezultat 6:4, në ndeshjen e zhvilluar në Kroaci, ku po zhvillohet kjo fazë.

Halim Selmanaj ka qenë hero i ekipit kosovar dhe ka qenë i pandalshëm për kundërshtarët, duke realizuar plot katër gola, shkruan zeri.info.

Në fakt, francezët kanë kaluar të parët në epërsi qysh në minutën e parë përmes Kebe, por Ramadan Alaj i ka barazuar shifrat në 1:1 në minutën e pestë.

Më pas ka shpërthyer Selmanaj me dy gola për dy minuta (6 e 7). Francezët e kanë ngushtuar rezultatin në minutën e 11-të me Mendy, por Selmanaj ka dalë përsëri në skenë me një gol në minutën e 13-të.

Në vazhdim, listës së realizatorëve tek ekipi gjakovar iu shtua edhe përforcimi nga Feniksi, Mentor Mejzini, për rezultatin 4:1.

Më pas, De Sa Andrade në minutën e 25-të dhe Mendy me golin e dytë personal në minutën e 29-të, e ngushtuan rezultatin në 5:4 dhe Djibson shpresoi në mrekulli.

Por Selmanaj e shënoi golin e gjashtë dhe të qetësisë në minutën e 36-të, për t’ia siguruar Liburnit fitoren e madhe.

Kampioni i Kosovës në futsall, ndeshjen e dytë do ta zhvillojë nesër mbrëma nga ora 20:30 ndaj skuadrës kroate, Nacional.

Liburni e kishte kaluar fazën e parë të këtij kompeticioni me sukses, duke dominuar absolutisht ndaj kundërshtarëve.

E gjakovarët forcën e tyre po e tregojnë edhe në “Main Round”, ku e fituan lojën e parë dhe synojnë të vazhdojnë me ritëm të njëjtë, për ta realizuar ëndrrën, respektivisht kualifikimin në fazën e grupeve të UEFA Futsal Cup.

Drejtuesit e Liburnit gjatë verës janë mobilizuar me të gjitha forcat për ta arritur një gjë të tillë. /Zëri/

© zëri.info