'Gazzetta dello Sport': Strakosha është gati për Buffonin

Sport October 12, 2017 - 16:55

“La Gazzeta dello Sport” i dedikoi një shkrim portierit të kombëtares sonë Thomas Strakosha në prag të ndeshjes Juventus-Lazio, që do të luhet të shtunën.

“Në shtëpinë e idhullit të tij, Thomas Strakosha nuk mund të mos emocionohet kur të takojë Gigi Buffonin, i cili është shembull për të, së bashku me gjermanin Neuer, për interpretimin e rolit të portierit”, nis shkrimi i të përditshmes sportive italiane.

“Gazzetta” thekson se nuk do të jetë kjo përballja e parë e 22-vjeçarit shqiptar me Juventusin, por do të jetë e para në kampionatin italian. Strakosha ka marrë komplimentat e Buffonit pas ndeshjes Itali-Shqipëri të 24 marsit, kur debutoi në portën e kombëtares kuqezi. Ndërsa në 13 gusht e la pa fjalë Buffonin kur me Lazion fitoi Superkupën e Italisë ndaj bardhezinjve, përcjell "Top Channel"

Gazeta thekson se Thomas Strakosha është një “portier i hekurt”, pasi është i vetmi nga lojtarët e Lazios që nuk ka munguar asnjë minutë në 10 ndeshjet zyrtare të këtij sezoni. Sipas saj, trajneri Inzaghi nuk ka pasur dyshime për t’ia besuar portën Strakoshës, pasi e njeh që nga Primavera dhe i vlerëson aftësinë për t’u përqendruar.

Në fund, “Gazzetta dello Sport” nënvizon se shumë të vlefshme për Thomas Strakoshën kanë qenë edhe këshillat e Foto Strakoshës, babait të tij, i cili ka qenë kapiten i kombëtares shqiptare.

“Strakosha është përgatitur për të bërë një paraqitje të mirë në shtëpinë e Buffonit. Ka si objektiv përsëritjen e suksesit të Superkupës dhe arritjes së zonës Champions me Lazion e tij”, lexohet në faqet e “Gazzetta dello Sport”.