Sport

50 kandidatë për trajner të Kosovës

50 kandidatë për trajner të Kosovës
12 tetor 2017 • 13 : 56

Kosova është në kërkim të një trajneri të ri, i cili do të drejtonte Kombëtaren në futboll në fazën kualifikues e për Euro 2020. Deri me tani janë përmendur shumë emra të trajnerëve shqiptar dhe atyre të huaj

Federata e Futbollit e Kosovës është në kërkim të një trajneri të ri, pasi me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë kontratën e trajnerit Albert Bunjaki.

Thuhej se emrat më të mundshëm për të marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës ishin slloveni, Sreçko Katanec dhe turku, Fatih Terim.

Por, Gazeta Express nga një burim i sigurt merr veshë se asnjëri prej këtyre dy trajnerëve nuk do të jetë në krye të Kombëtares së Kosovës.

Sipas këtij burimi, për postin e trajnerit të Kosovës janë 50 kandidatë të mundshëm, ku njëri prej tyre do të përzgjidhet deri në muajin dhjetor të këtij viti.

“FFK është në bisedime me 50 trajnerë të ndryshëm për postin e përzgjedhësit të Kombëtares. Emri i trajnerit të ri do të bëhet i ditur deri në muajin dhjetor të këtij viti”, ka thënë ky burim për Express. 

Po ashtu, ai ka thënë se trajneri i ri i Kosovës do të jetë gjerman, francez ose italian, por jo shqiptar ose i shteteve të Ballkanit.

Kosova ndeshjen e radhës pritet ta zhvillojë me 13 nëntor kundër Lituanisë në Mitrovicë, ndeshje kjo miqësore. 

© zëri.info