Prishtina 'copëton' klubin ganez

Sport October 12, 2017 - 10:55

FC Prishtina qe një kohë të gjatë i ka nisur reformat në klub në përpjekje për t’u ngritur në një nivel më të lartë, përkatësisht në nivel diç më evropian.

Në kuadër të këtij procesi bardhekaltrit po e ristrukturojnë në vazhdimësi edhe përbërjen e futbollistëve, të cilën po e kombinojnë me lojtarë të njohur e me përvojë, si dhe me futbollistë të rinj dhe premtues për të shpërthyer.

Futbollistët e talentuar vendorë kanë qenë kaherë cak i “grepit” të klubit më të madh kosovar, i cili kohëve të fundit po “peshkon” edhe në një klub të Ganës.

Fjala është për FC Dreams, prej të cilit në FC Prishtinë tashmë kanë ardhur tre futbollistë, shkruan sot gazeta Zëri.

Basid Abdul Khalid ishte futbollist i kësaj skuadre ganeze, ndërsa nga janari i vitit 2016 është pjesë e skuadrës së famshme kosovare.

Khalid tashmë vlerësohet si sulmuesi më cilësor në Superligën e Kosovës.

Në edicionin e kaluar ai i ka realizuar 14 gola, duke e ndihmuar FC Prishtinën ta zërë vendin e dytë në kampionat, me ç’rast kishte shkuar edhe në kualifikimet e Europa Leagues.

Nuk vonoi shumë dhe Khalidit në kryeqytetin e Kosovës presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ia solli një mik të mirë nga Gana, me të cilin njiheshin prejse ishin pjesë e FC Dreams.

Ai është Abdul Bashiru. Ky i fundit erdhi në FC Prishtinë gjatë verës që lamë pas, ndërsa tani është njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm të Mirel Josës.

Bashiru luan si anësor i majtë, është shumë luftarak dhe i palodhshëm në shërbim të skuadrës. Vendi në formacionin kryesor për të aktualisht është i pakontestueshëm.

I fundit që ka ardhur në FC Prishtinë prej Ganës, përkatësisht nga FC Dreams është Ben Nash Quansah.

21-vjeçari qysh më herët ka arritur marrëveshje me prishtinasit, të cilëve u ishte bashkuar të martën.

Ai luan si qendërmbrojtës dhe posedon cilësi mjaft premtuese.

FC Prishtina si çdo vit tjetër, edhe sivjet po lufton për titull të kampionit të Kosovës dhe për kualifikim në gara evropiane, për çka ka bërë investime të mëdha.

Bardhekaltrit sivjet u eliminuan në xhiron e parë të Europa Leagues nga ekipi i fortë suedez, Norrkopingu. /Zëri/