'Euro 2020', synimi i madh i Shqipërisë

Sport October 11, 2017 - 11:21

Kombëtarja e Shqipërisë e ka mbyllur kampanjën kualifikuese të botërorit “Rusia 2018” në vendin e tretë në grup, prapa Spanjës dhe Italisë, duke lënë pas vetes Izraelin, Maqedoninë dhe Lihtenshtajnin, shkruan sot gazeta Zëri.

Në katër ndeshjet e fundit skuadra kuqezi u udhëhoq nga trajneri i ri, pasardhësi i Gianni de Biasit, Christian Panucci, i cili pati kohë të njoftohet mirë me kuqezinjtë në çdo aspekt.

Sfida e vërtetë e Panuccit me Shqipërinë do të jetë kampanja kualifikuese për “Euro 2020”.

“Kemi një vit kohë për të përgatitur ciklin kualifikues për ‘Euro 2020’. Jam i sigurt se kjo skuadër e ka cilësinë që të dalë nga zona e sigurisë dhe të provojë të bëjë më tepër përpara. Duhet të dalim nga mbrojtja, por duke njohur edhe ato që janë defektet tona”, ka thënë Panucci.

“Unë do të punoj për të luajtur futboll, pasi kjo skuadër i ka mundësitë. Nuk do të luajmë 3-5-2 apo të parkojmë autobusin. Kemi një bazë shumë të mirë dhe do t’i luajmë ndeshjet tona me kurajë. Ideja është që të shkojmë të marrim pikë. Djemtë më thonë që duan të provojnë të luajnë në sulm dhe fakti që luajtëm si të barabartë me Italinë është një sinjal që mund të bëjmë më tepër. Jam i bindur se na pret një e ardhme e ndritur”, ka përfunduar ai. /Zëri/