Të refuzuarit e Mourinhos

Sport October 11, 2017 - 11:11
Jose Mourinho konsiderohet si njëri prej trajnerëve më të mirë në botë momentalisht, por portugezi ia ka huq disa herë me vlerësimet e tij për futbollistë. Mourinho do të takohet të shtunën me Mohamed Salahun e Liverpoolit, i cili ishte refuzuar nga “Special One” gjatë kohës së tij si trajner i Chelseat. Por, përveç egjiptianit ka edhe emra të tjerë të njohur që janë refuzuar nga trajneri portugez

“Sky Sport” ka përgatitur një listë me emrat e refuzuar nga trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, raporton zeri.info.

Portugezi ka arritur suksese të mëdha me klube të ndryshme evropiane, si: Porto, Chelsea, Interi dhe Real Madridi, por gjatë këtyre viteve ai ua ka treguar derën disa futbollistëve mjaft të njohur.

Romelu Lukaku

Mourinho tashmë është ribashkuar me Lukakun këtë edicion. Sulmuesi nënshkroi këtë verë me Manchester Unitedin për 75 milionë funte. Por, ishte një histori krejt tjetër para tre vjetësh kur Lukaku ishte detyruar që të largohej nga Chelsea, ekip që në atë kohë drejtohej nga Mourinho në drejtim të Evertonit.

Kevin de Bruyne

Manchester Cityt i është dashur të paguante 54.5 milionë funte për të rikthyer De Bryunen përsëri në Premierligë, vetëm një edicion pasi ishte larguar te Wolfsburgu nga Chelsea i Mourinhos. Portugezi e quante belgun një fëmijë të mërzitur dhe kritikonte përpjekjet e tij në stërvitje. Mesfushori ishte shitur në vitin 2013 për 18 milionë funte. /Zëri/

Leonardo Bonucci

Mbrojtësi i Milanit Bonucci ishte larguar nga Interi, i drejtuar nga Mourinho në vitin 2009, për vetëm 3.4 milionë funte. Italiani tani konsiderohet njëri prej qendërmbrojtësve më të mirë në botë dhe kishte fituar 6 tituj të ligës italiane me Juventusin para se të transferohej gjatë verës te Milani.

Juan Mata

Dy herë fituesi i çmimit “Lojtari i Vitit” te Chelsea shumë shpejt ishte zëvendësuar nga Oscar pas ardhjes së Mourinhos te klubi anglez. Portugezi pastaj lejoi që spanjolli t’i bashkohet Manchester Unitedit. Mata u bë figurë e rëndësishme në “Old Trafford” dhe tani përsëri është duke punuar me Mourinhon.

David Luiz

Mourinho lejoi largimin e David Luzit te Paris Saint-Germaini për 50 milionë funte në vitin 2014, vetëm një muaj pas humbjes turpëruese të Brazilit 7-1 nga Gjermania në Botëror. Luiz u rikthye përsëri te Chelsea në vitin 2016 dhe ishte një prej lojtarëve kryesorë të londinezëve në triumfin në kampionatin anglez gjatë edicionit të kaluar.

Mohamed Salah

Salah ishte transferuar te Chelsea gjatë kohës së Mourinhos, por nuk i ishte dhënë hapësirë e nevojshme dhe ishte huazuar te Fiorentina dhe Roma. Ai shkëlqeu në Serie A, duke realizuar 15 gola dhe 11 asistime gjatë edicionit të kaluar me Romën, kurse gjatë kësaj vere u transferua te Liverpooli për 34 milionë funte.

Ezequiel Garay

Mourinho lejoi largimin e Garayt nga Real Madridit në moshën 24-vjeçare. Reprezentuesi argjentinas shkëlqeu me Benfican para se të transferohet te Valencia në verën e vitit 2016. Qendërmbrojtësi është futbollist kyç te klubi spanjoll.

Filipe Luis

Luis ishte transferuar nga Mourinho pas triumfit të brazilianit me Atletico Madridin në ligën spanjolle gjatë edicionit 2013/2014, por qëndroi vetëm një sezon te klubi londinez para se të rikthehet përsëri te Atletico Madridi. Luis ishte paraqitur në vetëm 15 ndeshje për Chelsean. /Zëri/