E pamjaftueshme!

Sport October 11, 2017 - 11:09
Përfaqësuesja e Kosovës e mbylli kampanjën kualifikuese të Botërorit me nëntë humbje radhazi krahas një barazimi fillestar, duke mos e arritur as minimumin e objektivit – të paktën një fitore. Po ashtu, edhe goldallimi i Kosovës ishte mjaft dëshpërues. Analistët thonë se këto rezultate nuk i justifikon as fakti që “Dardanët” morën për herë të parë në një kampanjë kualifikuese. Sipas tyre, Albert Bunjaki me futbollistët e tij kanë mundur të bënin më shumë. E mira e këtyre kualifikimeve ishte se Kosova tregoi se ka “brumë” për të shpresuar në sukseset në të ardhmen

Përfaqësuesja e Kosovës e kishte nisur për mrekulli kampanjën kualifikuese për “Botërorin 2018”.

Barazimi në Finlandë i kishte bërë të ëndërronin të gjithë në Kosovë, shkruan sot gazeta Zëri.

Por, këto ëndrra u shuan lojë pas loje kur Verdhekaltrit i rendisnin humbjet, të cilat arritën në shifrën 9, në mbyllje të këtyre kualifikimeve.

Trajneri Albert Bunjaki është shprehur vazhdimisht se skuadra e tij ka rritje dhe se po bën paraqitje të mira ndaj kundërshtarëve të fuqishëm.

Ai po ashtu arsyetohej se pasi kjo është hera e parë nuk mund të pritet më shumë momentalisht nga kjo skuadër.

Mirëpo, njohësit e futbollit kosovar kanë mbetur të zhgënjyer me rezultatet që i regjistroi Kosova në këto eliminatore.

Sipas tyre, fakti se Përfaqësuesja është debutuese nuk është arsyetim për ta mbuluar dështimin. Ata janë të bindur se Kosova kishte kapacitet të bënte më shumë në këtë fazë eliminatore.

“Ky është realiteti i hidhur, jemi në vendin e fundit. Futbolli kosovar me rezultate nuk është askund, edhe pse kemi brumë. Ta marrësh vetëm një pikë në 10 ndeshje dhe t’i pësosh 9 humbje rresht kjo nuk është në rregull. Mund t’i humbësh deri në tri ndeshje radhazi dhe më pas duhen bërë ndryshime. Por, te Përfaqësuesja nuk u bënë këto ndryshime asnjëherë. Të paktën unë nuk kam parë të tilla”, shprehet për “Zërin” trajneri Fahredin Duraku.

“Ne jemi duke shkuar prapa, jo përpara. Nuk është arsye se ky është vetëm fillimi, pasi vendet përreth nesh kanë arritur rezultate qysh në start, siç janë Mali i Zi, Kroacia, etj. Ne nuk po mundemi t’u afrohemi as fqinjëve e lëre më më larg. Edhe për ciklin tjetër evropian dyshoj se mund të arrijmë ndonjë rezultat. Jemi të dëshpëruar me këtë gjendje”, shtoi trajneri mitrovicas.

Sipas tij, futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës nuk kanë ardhur me mentalitet fituesi, siç luajnë në ekipet përkatëse.

Ata, shton ai, kanë ardhur më shumë për të shëtitur dhe për ta mbushur CV-në e tyre. Sa i përket seleksionuesit Bunjaki, ai shprehet se nuk ka ditur t’i menaxhojë si duhet futbollistët.

Në fund, Duraku tha se Kosovës i nevojitet një trajner me karakter dhe me autoritet që t’ua transmetojë mentalitetin fitues lojtarëve.

Sejdiu: Mund ta merrnim edhe ndonjë pikë

Trajneri Gani Sejdiu nga ana e tij mendon se Kosova ka mundur ta marrë edhe ndonjë pikë, edhe pse nënvizon se Përfaqësuesja ka përparuar dhe se është bërë punë e madhe nga trajneri Bunjaki dhe futbollistët.

“Duke u bazuar se ishte cikli i parë eliminator nuk kemi pretenduar më shumë. Por, them se kemi mundur të bënim më shumë, ndoshta me një apo dy pikë më shumë. Sidoqoftë, duhet të jemi realistë, është bërë një progres, edhe pse ishte një cikël shumë i vështirë. Ne ishim pa përvojë, një përfaqësuese e re, në ndërtim e sipër. Ndoshta kanë ndikuar paksa edhe kritikat e vazhdueshme në drejtim të trajnerit dhe të lojtarëve”, theksoi trajneri mitrovicas për gazetën.

Më tutje, ai mendon se FFK-ja dhe përzgjedhësi Bunjaki është dashur ta ndjekin një rrugë tjetër gjatë këtyre eliminatoreve, duke e krijuar fizionominë, identitetin dhe filozofinë e vet të Përfaqësueses e jo t’i përshtatet në çdo ndeshje lojës së kundërshtarit.

Edhe pse është i mendimit se Kosova ka mundur të bënte më shumë, ai është i bindur se Përfaqësuesja ka të ardhme dhe mund të arrijë suksese. /Zëri/