Të rinjtë në lupën e Panuccit: Po vëzhgojmë 4-5 lojtarë

Sport October 10, 2017 - 17:03

Në fund të këtyre eleminatoreve të botërorit, Christian Panucci duket se i ka idetë e qarta. Ai është i kënaqur nga paraqitja e skuadrës, sidomos ndaj Spanjës dhe Italisë, por…

“Tani do të udhëtoj për të provuar të gjej ndonjë lojtar të ri, sepse diçka duhet detyrimisht ta ndryshojmë. Cikalleshi, Kukeli, Kaçe apo Xhaka u sollën shumë mirë në grumbullim, si profesionistë të vërtetë. Pavarësisht faktit që Taulanti nuk u grumbullua në fillim dhe asaj që ndodhi, ai ishte korrekt dhe këta janë lojtarë të rëndësishëm”, deklaroi në konferencën për shtyp të mesditës së të martës trajneri i kuqezinjëve.

Objektivi kryesor i Panuccit janë të rinjtë dhe për këtë do të ndjekë personalisht nga afër ndeshjen e U19 në Selman Stermasi dhe më pas të U21 në Elbasan, ndërsa nën vëzhgim thotë se ka edhe Sabien Lilajn e Skënderbeut, shkruan Top Channel.

“Do të vëzhgoj dy-tre lojtarë që më pas do t’i testojmë në ndeshjet miqësore për të vlerësuar nivelin e tyre. Po e ndjek (Sabian Lilajn) do të udhëtoj në nëntor për ndeshjen me Young Boys. Dikush tjetër do ta vëzhgojë në kampionat. Kemi një vit kohë për të ndjekur të gjithë lojtarët dhe për t’u përgatitur. Janë 4-5 lojtarë edhe nëpër Europë, madje edhe në liga të dyta”, u shpreh ai.

Sa i takon lojës, Panucci është i bindur; autobusi nuk do të parkohet.

“Unë do të punoj vetëm për rrugën që të luajmë futboll. Kjo skuadër i ka mundësitë. Nuk do të luajmë 3-5-2, apo të parkojmë autobusin. Kemi një bazë shumë të mirë dhe do t’i luajmë ndeshjet tona me kurajë, sepse nëse Maqedonia barazoi në Itali, ne ishim pranë fitores në Maqedoni”, deklaroi ai.