Panucci flet për ndeshjet ndaj Spanjës dhe Italisë

Sport October 02, 2017 - 13:19

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të mbyllë eliminatoret e Botërorit 2018 me sfidat ndaj Spanjës dhe Italisë, dy përballje që sipas trajnerit Christian Panucci kanë shumë rëndësi, sidomos për imazhin e Shqipërisë, transmeton "Top Channel".

“Janë 2 ndeshje që kanë shumë rëndësi për imazhin e kombëtares. Futbolli na ka mësuar që mund të bëjmë diçka të mirë e të rëndësishme kur ke skuadra  më të forta përballë. Këto janë ndeshje ku interesi e përqendrimi është shumë i madh te lojtarët. Duhet të bëjmë dy sfida plot krenari e dëshirë, pasi i sheh e gjithë bota. Duhet të japim maksimumin, pasi çdo sfidë nis me rezultatin 0-0. I respektojmë Spanjën dhe Italinë, por do të përpiqemi të marrim ndonjë rezultat të mirë”, tha tekniku italian.

Panucci për këto dy ndeshje ka kthyer në kombëtare Xhakën dhe Cikalleshin, ndërkohë që për përballjen me Spanjën nuk do të jenë Mavraj, Roshi dhe Kukeli.

“Nuk e kam thënë asnjëherë se Cikalleshi e Xhaka nuk do të kthehen në kombëtare. Xhaka kërkoi falje disa herë dhe i ka kuptuar gabimet e tij. Cikalleshi radhën e kaluar nuk respektoi orarin, që është diçka e rëndësishme, por e them se ai është një futbollist me peshë në skuadër. Si Cikalleshi, ashtu edhe Xhaka, janë dy lojtarë shumë të mirë që duan të ndihmojnë Kombëtaren, por që tani e tutje ata duhet të respektojnë rregullat. Përsa u përket lojtarëve të skualifikuar, janë mungesa të rëndësishme, por ne do të hedhim në fushë formacionin më të mirë”, tha Panucci.

Ndërkaq, edhe Spanja ka problemet e saj në këtë përballje, pasi nuk do të ketë Carvajal dhe Iniesta, pa harruar këtu edhe situatën politike me referendumin e Katalonjës.

“Lopetegui është i qetë, pasi ka në dispozicion futbollistë që mund të zëvendësojnë lojtarët që mungojnë. Nuk dua të hyj në tema politike, pasi janë shumë delikate. Do të shkojmë në Spanjë për të bërë lojën tonë dhe për të dhënë maksimumin. Personalisht, më vjen keq për atë çfarë po ndodh në Spanjë”, tha Panucci.