Kosova në 'emergjencë', me plot mungesa ndaj Ukrainës

Sport October 02, 2017 - 12:16

Kosova gjendet në një “emergjencë” të vërtetë. Verdhekaltrit do t’i hyjnë ndeshjes me Ukrainën me gjashtë mungesa të theksuara. Benjamin Kololli, Enis Alushi, Herolind Shala e Arbër Zeneli do të mungojnë për shkak të lëndimeve, kurse Valon Berisha e Bernard Berisha për shkak të kartonëve. Trajneri Albert Bunjaki shprehet i brengosur për këto mungesa, por beson se lojtarëve që do t’u jepet rasti do ta shfrytëzojnë këtë mundësi jetike. Ai synon ta mbyllë eksperiencën me Kosovën duke nxjerrë pikë në dy ndeshjet e fundit

Përfaqësuesja e Kosovës e sheh veten në një “emergjencë” të vërtetë para dy ndeshjeve të fundit eliminatore të Botërorit 2018.

Verdhekaltrit do t’i hyjnë ndeshjes me Ukrainën këtë të premte me plot mungesa dhe atë të lojtarëve mjaft të rëndësishëm, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, Benjamin Kololli, Enis Alushi, Herolind Shala e Arbër Zeneli do të mungojnë për shkak të lëndimeve, kurse Valon Berisha e Bernard Berisha (kthehen ndaj Islandës) për shkak të kartonëve.

Përzgjedhësi Albert Bunjaki shprehet i brengosur për këto mungesa, por tashmë është pajtuar me “fatin” dhe po mundohet të “harrnohet”, duke i mbuluar ato me lojtarët që ka në dispozicion.

Ai e sheh këtë si një mundësi ideale dhe jetike për lojtarët që nuk kishin hapësira, të cilëve pritet t’ua japë rastin. Mbi të gjitha, nga kjo situatë mund të përfitojnë lojtarët si Bersant Celina, Besar Halimi e Elbasan Rashani.

“Jemi duke u ballafaquar me lëndime. Kemi gjashtë mungesa të theksueshme, pra na mungojnë lojtarë të ekipit të parë. Sidoqoftë, ne do t’ua japim rastin disa futbollistëve, të cilët duhet ta shfrytëzojnë atë për të pasur më shumë minuta në të ardhmen”, theksoi fillimisht Bunjaki për “Zërin”.

“Në aspektin sportiv ata do të na mungojnë shumë, pasi edhe një përfaqësueseje të madhe nëse i mungojnë aq shumë futbollistë kjo do të ndihej tek ajo. Megjithatë, do t’i shfrytëzojmë futbollistët që i kemi në dispozicion për të dalë sa më mirë në këto dy ndeshje të tetorit”, vazhdoi trajneri kosovar. /Zëri/