Kosova i kërkon kualifikimet në Evropian

Sport October 02, 2017 - 12:14

Përfaqësuesja e Kosovës për grupmoshën U-19 të dielën e ka marrë rrugën drejt Austrisë, ku do të marrë pjesë në fazën parakualifikuese për kampionatin evropian “Finlanda 2018”.

Ndeshjet do të zhvillohen gjatë kësaj jave në qendrën e njohur sportive Leogang, shkruan sot gazeta Zëri.

Kosova gjendet në grup me mikpritësin e kësaj faze, Austrinë, pastaj Letoninë dhe Izraelin.

Pa dyshim ekipi kosovar është përgatitur maksimalisht për këtë fazë dhe përzgjedhësi Ramiz Krasniqi para nisjes në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është shprehur optimist se djelmoshat e tij do të dalin mirë nga ky eveniment.

Si rrjedhojë ai synon që të kalohet kjo fazë dhe Kosova të shkojë në kualifikime, që do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm.

I vetmi defekt i Kosovës U-19 është mungesa e përvojës, por që Krasniqi shprehet se kosovarët do të bëjnë gjithçka për ta mbuluar këtë “defekt”.

“Kemi punuar dhe jemi përgatitur që jo vetëm të kemi paraqitje dinjitoze, por do të mundohemi që të kemi edhe sukses në këto ndeshje parakualifikuese. Jemi të vetëdijshëm se rivalët tanë kanë përvojë në ndeshjet ndërkombëtare, por edhe me cilësinë e tyre, ne do ta bëjmë më të mirën e mundshme. Unë besoj shumë në këta futbollistë, që do të japin gjithçka nga vetja për rezultate pozitive”, u shpreh trajneri kosovar.

Krahas futbollistëve të futbollit kosovar, në listën e publikuar nga Krasniqi shihen edhe emra të futbollistëve që po bëjnë karrierë jashtë vendit, sidomos në Gjermani dhe në vendet skandinave.

Krasniqit i ndihmon në këtë eksperiencë ndihmëstrajneri Nazmi Rama, ndërsa trajner i portierëve është Xhelaledin Karabeg.

Lista e të ftuarve

Rilind Nimani (KEK-u), Abit Salihu (2 Korriku), Lirik Haziri (2 Korriku), Edison Kqiku (Drita), Leotrim Kryeziu (Drita), Lumbardh Dellova (Liria), Flamur Gashi (Liria), Albion Berisha (Ramiz Sadiku), Lot Celina (Stromsgodset IF II), Anes Mehmeti (Horchheim), Liridon Balaj (Besa), Altrim Pajaziti (Victoria Koln), Adrian Behrami (Victoria Koln), Dardan Dakaj (Trelleborgs FF), Egson Gashi (Darmstadt 98), Ismajl Beka (Wil 1900), Arlind Ademi (Viktoria Aschaffenburg), Lirim Kastrati (Lokomotiva Zagreb), Gentrit Limani (Bochum), Ramiz Bytyqi (Sava Kranj). /Zëri/