Supersfida në Dortmund

Sport September 26, 2017 - 13:12

Borussia do ta sfidojë sonte në Dortmund kampionin aktual të Evropës, Real Madrid, në derbin e natës në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Skuadra gjermane, e cila e nisi me humbje këtë kompeticion në këtë edicion, do ta kërkojë të martën mbrëma këndelljen kundër gjigantit spanjoll

Real Madridi nuk është duke kaluar nëpër një formë të mirë në kampionatin spanjoll, ku ka grumbulluar 11 pikë nga gjashtë takime dhe mbetet 7 pikë larg kreut të tabelës që mbahet nga Barcelona, por kampioni aktual i Ligës së Kampionëve kërkon vetëm fitore ndaj Borussia Dortmundit për të mbajtur kreun e grupit H. Madrilenët hyjnë në këtë takim pas një fitoreje të vështirë 2-1 si mysafir ndaj Alavesit, kurse Borussia Dormundi vjen nga fitorja e thellë 6-1 kundër Borussia Moenchengladbachut. Real Madridit në këtë takim pritet t’i mungojnë futbollistët e lënduar: Karim Benzema, Marcelo, Theo Hernandez dhe Mateo Kovacic, kurse Dortmundi duhet të bëjë pa Erick Durmin, Marco Reusin, Marcel Schmelzerin dhe Raphael Guerreiron. Në takimin tjetër të këtij grupi, Totenhami do të udhëtojë drejt Qipros për të luajtur kundër APOEL Nicosias.

Liverpooli i shkon Spartakut të Moskës

Pas barazimit 2-2 ndaj Sevillas, Liverpooli do të kërkojë fitoren e parë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve ndaj Spartakut të Moskës. Pesë herë fituesi i këtij kompeticioni, i cili është rikthyer në këtë garë pas dy vjetësh mungesë, nuk kërkon më pak se tri pikë nga ky takim shumë i rëndësishëm. Gjigandi anglez fitoi në fundjavë 3-2 ndaj Leicester Cityt dhe dëshiron ta vazhdojë ecurinë e fitoreve. Në kuadër të ndeshjes tjetër të grupit E takohen Sevilla dhe Maribori i Valon Ahmedit. Momentalisht në këtë grup të gjitha pikët kanë nga një pikë.

Manchester City pret Shakhtarin

Njëri prej ekipeve më në formë momentalisht në kontinentin evropian, Manchester City, do të presë në shtëpi Shakhtar Donetskun. Klubi anglez i hyn kësaj ndeshjeje pas fitores së thellë 5-0 ndaj Crystal Palace në fundjavë, kurse Shakhtar Donetsku vjen pas fitores 4-2 si mysafir i Zirkas. Klubi nga “Etihad Stadium” kërkon vetëm arkëtimin e tri pikëve ndaj ukrainasve për të vazhduar kryesimin në grupin F. Ndeshje tjetër interesante pritet të jetë edhe ajo mes Napolit dhe Feyenoordit. Italianët humbën ndeshjen e parë të fazës grupeve 2-1 ndaj Shakhtarit, kurse tani kërkojnë arkëtimin e tri pikëve të para.

Monaco takohet me Porton

Gjysmëfinalisti i edicioni të kaluar në Ligën e Kampionëve, Monaco, do të kërkojë fitoren e parë në grup ndaj Portos. Klubi francez kishte barazuar 1-1 në ndeshjen e parë në udhëtim te debutuesit e Leipzigut, kurse dëshiron të arkëtojë tri pikët e saj të para në Ligën e Kampionëve në “Stade Louis II”. Kryesuesi i grupit G, Besiktas, do të presë në shtëpi Leipzigun. Turqit vijnë në këtë ndeshje pas humbjes 2-1 në derbin ndaj Fenerbahces, kurse Leipzigu pas fitores 2-1 në shtëpi ndaj Eintracht Frankfurtit. /Zëri/

Liga e Kampionëve

E martë

Grupi E

20:45   Sevilla – Maribor

20:45   Spartak – Liverpool

Grupi F

20:45   Man City - Shakhtar

20:45   Napoli – Feyenoord

Grupi G

20:45   Besiktas – Leipzig

20:45   Monaco – Porto

Grupi H

20:45   APOEL – Tottenham

20:45   B. Dortmund – Real Madrid