Milot Rashica, gati për një klub të madh

Sport September 26, 2017 - 12:09

Milot Rashica po vazhdon të shkëlqejë në fanellën e Vitesses. Madje, futbollisti kosovar shënoi në fundjavë në fitoren 2:1 ndaj gjigantit holandez, Ajax.

Paraqitjet e mira të tij të viteve të fundit kishin bërë që klubet e mëdha italiane, mbi të gjitha Napoli dhe Lazio, t’ia vënin syrin përfaqësuesit kosovar, por në fund ai mbeti në Holandë.

Sidoqoftë, ky mund të jetë sezoni i tij i fundit në kampionatin holandez dhe këtë e ka bërë të ditur edhe vetë futbollisti vushtrrias, shkruan zeri.info.

“Nuk e di nëse ka interesim të Lazios për mua. Unë dua të shkëlqej në çdo lojë dhe ta jap më të mirën nga vetja e më pas të shohim. Për çdo rast është mirë të luash në ndeshje të mëdha e në stadiume të mëdha, kjo është ajo që të gjithë e duan”, është shprehur fillimisht Rashica për mediet holandeze.

“Unë jam duke e luajtur sezonin tim të tretë në Vitesse dhe dua të jem sa më i mirë, aq sa është e mundur. Pas këtij sezoni do të shoh se çka do të ndodhë”, vazhdoi ish-futbollisti i Llamkos Kosovës.

Ai ka folur edhe për fitoren ndaj Ajaxit, duke theksuar se Vitesse e pati një javë të vështirë, por që e demonstroi se e kishte energjinë dhe mentalitetin e duhur për ta mposhtur Ajaxin me një lojë të bukur dhe me motiv të plotë.

Shoku i Xhakës

Rashica gjatë lojës kishte mundësi të takohej me disa futbollistë kundërshtarë, të cilët i ka miq.

Njëri prej tyre është Amin Younes, për të cilin thotë se e njeh përmes Granit Xhakës.

“Amini është mik i Granit Xhakës së Arsenalit dhe e njoh përmes tij. Xhakën e kam mik, pasi ai, sikur unë, jemi nga Kosova”, ka përfunduar Rashica.

Futbollisti ofanziv i krahut të djathtë është ndër të paktit lojtarë që kanë depërtuar nga futbolli kosovar në atë evropian.

Ai është startues i padiskutueshëm i Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa në një të ardhme të afërt mund ta shohim edhe në ndonjë klub të madh evropian. /Zëri/