Kosova e bën telashe Spanjën

Sport September 25, 2017 - 17:38

Këshilli i Lartë Sportiv i Spanjës e ka kritikuar Komitetin Olimpik të Spanjës, i cili pa u konsultuar me qeverinë e Spanjës e ka ftuar Komitetin Olimpik të Kosovës në Lojërat e XVIII Mesdhetare, që mbahen në qershor të vitit të ardhshëm në Tarragona të Katalunisë, shkruan zeri.info.

Siç dihet, Spanja nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe sipas mediave spanjolle dhe këtij Këshilli, të njëjtën gjë është dashur ta bëjë edhe Komiteti Olimpik i Spanjës (COE).

Mirëpo, presidenti i këtij komiteti, Alejandro Blanco ka shpjeguar arsyet se përse e ka ftuar ekipin olimpik të Kosovës në këto Lojëra.

“Ne nuk varemi nga qeveria, ne varemi nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON), i cili e ka pavarësinë e Lëvizjes Olimpike në lidhje me politikën. Pothuajse asnjë Komitet Olimpik Kombëtar nuk ka përfaqësues të qeverisë. Prandaj, ne i përgjigjemi vetëm Komitetit Olimpik Ndërkombëtar”, ka deklaruar Blanco për gazetën “elespanol.com”, raporton Komiteti Olimpik i Kosovës.

Sipas gazetës në fjalë, akuzat e Këshillit të Lartë Sportiv, që vepron në bazë të Ministrisë së Jashtme të Spanjës, bazoheshin në atë se Komiteti Olimpik i Spanjës po i njeh Komitetet e vendeve të cilat shteti i Spanjës nuk i njeh.

Mirëpo, këto akuza janë kundërshtuar me argumente nga i pari i Komiteti Olimpik të Spanjës.

“Ata menduan se ne mund të njohim federata apo komitete kombëtare, por ne nuk kemi fuqi të veprojmë jashtë Spanjës. Kosova do të marrë pjesë, sepse ata janë njohur nga KON-i. Lojërat Mesdhetare janë gara të Komiteteve Olimpike, jo të shteteve. Ne nuk e njohim Kosovën. Është Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që e njeh! Prandaj, ne jemi të obliguar t’i ndjekim vendimet e tyre dhe këtu nuk ka debat, pasi ne varemi prej tyre. Statutet tona janë aprovuar nga KON, por ne gjithashtu nuk veprojmë kundër ligjeve të Spanjës”, ka shtuar Blanco. /Zëri/