Spanja nuk i lë sportistët e saj të marrin pjesë në garat që organizohen në Kosovë

Sport September 25, 2017 - 17:24

Këshilli i Lartë Sportiv i Spanjës thotë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Jashtme të Spanjës për të mos njohur Kosovën, derisa kujtojnë masat e marra për një peshëngritës nga Valladolidi, i cili kishte shprehur dëshirën të marrë pjesë në kampionatin evropian të peshëngritjes për U-15 dhe U-17, që po mbahet në Prishtinë, shkruan zeri.info.

“Spanja nuk e njeh shpalljen e njëanshme të Pavarësisë së Kosovës, e as shtetësinë e saj, prandaj kjo e bën të pamundur pjesëmarrjen e sportistëve spanjollë në ngjarjen sportive të organizuar nga ta. Nëse dikush merr pjesë, ai nuk mund të përfaqësojë Spanjën, ose të garojë me flamurin e Spanjës. E nëse do të përfaqësohej, atëherë suksesi do të ishte thjesht individual, pasi nuk e ka autorizimin e Këshillit të Lartë Sportiv dhe MPJ-së”, thuhet në deklaratën dhënë mediumit spanjoll.

Kampionati i peshëngritjes ka filluar të shtunën dhe do të zgjasë deri më 30 shtator. /Zëri/