Dallku ia fut frikën Ukrainës

Sport September 24, 2017 - 16:18

Ardin Dallku e ka dhënë një intervistë për mediet ukrainase, ku ka folur për jetën në Ukrainë, ushqimin, veturën, vështirësitë për ta mësuar gjuhën ukrainase dhe eksperiencën që po e kalon tek Vorskla Poltava.

Ai e pranon se vëllai i tij i madh, Armendi, i cili ka luajtur 12 vjet në Vorskla, e ka ndihmuar shumë të formohet si futbollist, por edhe si person, raporton zeri.info.

Gjithashtu, futbollisti kosovar ka folur edhe për eliminatoret e Botërorit 2018, ku Kosova do të përballet pikërisht me Ukrainën muajin e ardhshëm.

Ai nuk luajti në ndeshjet e Verdhekaltërve ndaj Kroacisë dhe Finlandës, por nuk ndihet i dëshpëruar. Thotë se do ta presë gjithmonë rastin.

“Për mua ishte e rëndësishme që u ftova për herë të parë nga Kosova. Vendosa ta marr fanellën me numrin 20. Atje ushtrova me disa shokë të fëmijërisë. Do ta pres rastin tim. Më kanë pritur mjaft mirë në ekipin kombëtar”, ka thënë fillimisht Dallku për “segodnya.ua”.

Ai i ka përmendur edhe vështirësitë nëpër të cilat gjendet futbolli kosovar, mbi të gjitha për mungesën e stadiumit, pasi ekipit përfaqësues i duhet të udhëtojë dhjetëra kilometra për të stërvitur dhe qindra të tjera për t’i zhvilluar ndeshjet.

I pyetur se cilët janë lojtarët më të rrezikshëm të Kosovës në duel me Ukrainën, Dallku junior ka thënë se njëri prej tyre është Bernard Berisha, po nuk ka lënë pa e përmendur as Milot Rashicën.

Dhe, vushtrriasit shpresojnë që Kosova ta fitojë njërën nga dy ndeshjet e fundit eliminatore të Botërorit 2018 ndaj Ukrainës ose Islandës, të cilën megjithatë e sheh favorite për ta fituar Grupin I.

“Tifozët tanë janë në pritje dhe thonë se është koha për të fituar. Ne do të luftojmë për njëri-tjetrin. Ne duam t’i bëjmë njerëzit të lumtur pas luftës, të japim gjithçka nga vetja. Me një fitore 1:0 nga këto dy ndeshje ne do të ishim të kënaqur”, vazhdoi Dallku, i cili është një besimtar i devotshëm i fesë islame.

Ai shpreson që të fitojë trofe dhe medalje me Vorsklan, ndërsa tregon se vëllai i tij, Armendi, ndihet ende në formë edhe pse është 34 vjeç, dhe se po luan me sukses në futbollin kosovar. /Zëri/