Evolucioni i Manchester United

Sport September 24, 2017 - 15:53

Kur Jose Mourinho e mori drejtimin e Manchester United menjëherë pritej ngritja e “Djajvëve të Kuq” si në kohët e arta. Mirëpo, realizimi i këtij misioni po del të jetë më i vështirë sesa që pritej. Portugezi thotë se evolucioni në “Old Trafford” stagnoi pas largimit të trajnerit legjendar Sir Alex Ferguson. Por, pas një sezoni stagnues, në sezonin e dytë të tij në Manchester United Mourinho ka dhënë shenja për vazhdimësi të asaj që e ka lënë Fergusoni, shkruan gazeta "Zëri".

Kur Jose Mourinho zëvendësoi në pozitën e kryetrajnerit Louis van Gaal dhe theu rekordin e transferimeve gjatë verës së kaluar me nënshkrimin e mesfushorit Paul Pogba nga Juventusi, të gjithë menduan se Manchester United i vjetër do të kthehet. Sidoqoftë, më pas u kuptua se kjo është jashtëzakonisht një punë e vështirë dhe gjërat nuk dolën ashtu siç edhe pritej.

Mourinho thotë se Manchester United nuk ka pasur ndonjë përmirësim që prej largimit të Sir Alex Ferguson. “Në klubet e tjera kishte evolucion. Në këtë klub nuk ka pasur evolucion. Mendoj se kishim ngecur në kohë në të gjitha aspektet që e bëjnë një skuadër të suksesshme”, thotë strategu portugez.

Mourinho ishte i shpejtë për të sqaruar se problemi nuk ishte me tifozët, ambiciet apo me ngjarjet prapa skenave, por problemi ishte në fushë.

“Kur unë them klubi, unë e kam fjalën se skuadra e futbollit dhe ajo se çfarë e rrethon ishte në telash, në një telash shumë të madh, Jo klubi në përgjithësi. Sepse klubi është më shumë sesa vetëm rezultatet, është një bazë e tifozëve. Është pasioni anembanë botës, është biznesi, është marketingu. Një klub si Manchester United mund të jetë një klub pa dy, tre, katër, pesë apo dhjetë vjet pa fituar trofe. Macnehster United do të jetë gjithmonë Manchester United dhe si klub kurrë nuk do të jetë në telashe”, shprehet ish-trajneri i Portos, Chelseat, Interit dhe Real Madridit.

“Si skuadër futbolli mendoj se në skuadrat tjera ka pasur evolucion, por gjatë kësaj periudhe në këtë skuadër nuk ka pasur evolucion në gjërat që janë të rëndësishme për një ekip. Ky ishte hapi im i parë, që ta sillja ekipin në drejtimin e duhur”, thotë ai.

Mourinho beson që lojtarët ishin duke vuajtur kur ai arriti, sepse prej një ekipi që lufton për ta fituar Ligën e Kampionëve papritmas ishin kthyer në një skuadër që mezi lufton për një kualifikim në kompeticionin më të madh evropian. Portugezi insiston se mbi të gjitha trofetë ai dëshironte që ta sillte përsëri mentalitetin fitues.

“Sigurisht që në edicionin e parë provova që të përmirësoja këtë, por gjithashtu mendoja që klubi dhe tifozët kishin nevojë që të ushqeheshin, së paku emocionalisht, ta rrisja vetëbesimin te lojtarët dhe moralin te njerëzit. Dhe nuk mund ta bësh këtë pa ndonjë sukses. Kjo është arsyeja se pse luftova për tituj. Dhe për këtë preferova që ta fitoja Ligën e Evropës sesa një vend të tretë apo të katërt në kampionat. Sepse mënyra më e mirë për t’u përmirësuar është të fitosh. Fitorja të bën të qeshësh, atmosfera përmirësohet, krijon simpati më të madhe te njerëzit, mund të kërkosh më shumë nga njerëzit, pret nga njerëzit që të japin edhe më shumë”, thotë portugezi.

“Kjo ishte në formë shumë e suksesshme për të punuar gjatë edicionit të kaluar, sepse sezoni i kaluar ishte i rëndësishëm, jo vetëm për ta rikthyer klubin në Ligën e Kampionëve, jo vetëm për ta fituar një objektiv të rëndësishëm”, përfundoi Mourinho.

Manchester United e ka filluar mjaft mirë edicionin e ri në ligën angleze, duke fituar katër takime dhe duke barazuar një, gjithashtu e ka filluar mbarë edhe Ligën e Kampionëve, duke arkëtuar tri pikë në ndeshjen e parë kundër Baselit./Zëri