Ish-kampioni 'kërcënon' kampionen

Sport September 22, 2017 - 14:01

Xhiroja e 6-të e Superligës së Kosovës në futboll do të nisë të premten me një derbi të madh. Në Drenas Feronikeli do ta presë kampionen në fuqi, Trepçën ’89, me të cilën në edicionin e kaluar luftuan rreptësishtë në luftën për titull. Vendi i parë është objektiv i tyre edhe në këtë stinor, të cilin e ka nisur mirë “Nikli”, por jo edhe ’89-shi, i cili deri më tani i ka regjistruar tri humbje dhe vetëm dy fitore, shkruan sot gazeta "Zëri".  

Derisa Feronikeli ende nuk ka pësuar humbje, por me dy fitore e tri barazimi ka tubuar 9 pikë, kampionia në fuqi i ka ngelur me tri pikë më pak shkaku i krizës së lojës që e ka sjellë edhe në krizë të rezultateve. Por, trajneri i mitrovicasve, Sabit Osmani, beson se skuadra e tij do t’i ndalë humbjet të premten në Drenas.

“Në futboll secili klub mund të përballet me krizë të rezultateve dhe pas çdo krize vijnë rezultatet e mira. Unë besoj se këta djem të ekipit tim do të konsolidohen dhe do t’u kthehen rezultateve pozitive. Kampionati është i gjatë dhe natyrisht se ne besojmë në rezultate pozitive dhe në arritjen e objektivave”, ka thënë Osmani.

Mirëpo, Gani Sejdiu shpreson që ekipi i tij do ta shënojë fitoren e tretë në këtë kampionat pikërisht ndaj ekipit mitrovicas, pasi me tri pikë të reja Feronikeli vetëm se do të fitonte motiv dhe vetëbesim shtesë në rrugën që e ka nisur – në atë drejt titullit. “

Ne nuk e marrim parasysh Trepçën ’89 si një skuadër në krizë, por si shumë të fortë dhe si një kampione në fuqi. Pa dyshim se do të jetë ndeshje jashtëzakonisht e vështirë, një derbi i cili nuk njeh formë të dobët apo formë të mirë, por që mund të prodhojë gjithçka. Kështu që ne po kemi ecuri të mirë edhe pse ndoshta kemi mundur të nxjerrim akoma më shumë. Shpresoj t’i ndalim këto barazime dhe si në këtë mënyrë alternativë e vetme për ne është fitorja", ka theksuar Sejdiu.

Ndërkohë, të shtunën do të zhvillohen katër ndeshje tjera, duke përfshirë këtu edhe derbin më të madh të kësaj jave ndërmjet dy rivalëve të vjetër, Gjilanit dhe Prishtinës, që po tregohen të forta edhe në këtë fillim të kampionatit të ri. Gjilani ende nuk ka pësuar humbje në këtë stinor dhe synon ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit për ta shënuar fitoren e tretë në këtë stinor krahas tri barazimeve sa i ka regjistruar deri më tash.

Në anën tjetër, ky takim do të jetë debutues për trajnerin e ri të Prishtinës, Mirel Josa, i cili natyrisht se punën në futbollin kosovar dëshiron ta nisë me fitore. Prishtina është e dyta në tabelë me 10 pikë, një më shumë sesa Gjilani dhe një më pak sesa lideri, Llapi, i cili pret fitore kundër Vëllaznimit në krizë financiare, i cili ditëve të fundit i ka bojkotuar edhe stërvitjet. Liria paraqet rrezik në Pejë si mysafire e rivales së vjetër, Besës, kurse në Skenderaj do të zhvillohet ndeshja “kuqezi” ndërmjet dy skuadrave në nevojë të pikëve – Drenicës dhe Flamurtarit, i cili ende nuk ka shijuar fitore sivjet. Kjo xhiro mbyllet të dielën me takimin ndërmjet Vllaznisë dhe Dritës.

Superliga – Xhiroja e 6-të

E premte

Feronikeli – Trepça’89 (16:00)

E shtunë

Llapi – Vëllaznimi                     (13:30)

Gjilani – Prishtina                      (16:00)

Besa – Liria                              (16:00)

Drenica – Flamurtari                 (16:00)

E diel

Vllaznia – Drita             (16:00)