FIBA i tregon të mirat dhe të këqijat e Kosovës

Sport September 22, 2017 - 13:37

Në prag të fillimit të kualifikimeve të Botërorit, një zyrtar i lartë i FIBA-s e inspektoi Kosovën. Gjatë vizitës që ia bëri Prishtinës Lubomir Kotleba i tregoi të mirat dhe të këqijat e basketbollit kosovar. Shembull të mirë i mori zyrat e FBK-së, për të cilat tha se janë ndër më të mirat në botë. Por kur bëhet fjalë për palestrat e Kosovës Kotleba tha se ato lënë shumë për të dëshiruar. Andaj dha sugjerime se si të rinovohet palestra e kryeqytetit para fillimit të kampanjës kualifikuese. Sipas tij, pjesëmarrja e Përfaqësueses kosovare në kualifikimet e Botërorit tregon se Kosova është vend i basketbollit, edhe pse liga e saj nuk është në nivelin e duhur, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Lubomir Kotleba ka qenë njëri prej përkrahësve më të mëdhenj të pranimit të basketbollit kosovar në FIBA. Mirëpo, zyrtari i lartë i institucionit më të lartë ndërkombëtar të këtij sporti e ka vizituar Kosovën me një mision tjetër.

Këshilltari i sekretarit të përgjithshëm të FIBA-s ka arritur në vendin tonë për herë të katërt, ndërsa arsyeja e kësaj vizite është inspektimi i palestrës së Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, ku pas dy muajsh Përfaqësuesja e Kosovës synon ta nisë kampanjën kualifikuese për “Botërorin 2019” në basketboll.

Sllovaku u fokusua tek elementet që i mungojnë palestrës dhe i dha këshillat e tij, duke treguar në detaje ku duhet të intervenohet. Mbi të gjitha, kushti kryesor për ta zhvilluar ndeshjen e 23 nëntorit me Lituaninë është që të zgjerohet kapaciteti i ulëseve.

Një palestër duhet t’i ketë 3.000 ulëse për një ndeshje të nivelit të tillë, por FIBA është treguar zemërgjerë dhe Kosovës mund t’ia lejojë zhvillimin e ndeshjeve me 2.800 ulëse, shkruan sot gazeta "Zëri".

“FIBA kërkon që kushtet në palestra, në të gjithë botën, të jenë në nivele të larta. Ne i shikojmë gjërat në detaje dhe duhet ta rikonstruktoni palestrën. Ju duhet ta keni palestrën me 3.000 ulëse, por FIBA për Kosovën e lejon që të ketë edhe 200 ulëse më pak. Gjithashtu duhet intervenuar në ndriçim, por edhe në siguri të shikuesve pasi jeta e tyre është më e rëndësishme se gjithçka tjetër”, deklaroi fillimisht Kotleba në konferencë për shtyp.

Sipas tij, FIBA është e interesuar që ta shtrijë basketbollin në krejt botën, prandaj shpreson që punimet të kryhen me kohë dhe Kosova të luajë në shtëpinë e saj përpara shikuesve të saj.

Salla, e vjetër

Kotleba e sheh këtë rregullim të përkohshëm pasi konsideron se Kosovës i nevojitet një palestër e re, më moderne dhe thotë se është koha të mendohet qysh tash për këtë projekt. “Salla aktuale është e vjetër, sa kam informata ky objekt është ndërtuar qe 40 vjet. Një plakë nuk mund ta bësh nuse të re. Sado që e renovoni palestrën, herët ose vonë ju nevojitet një palestër e re. Për këtë duhet të mendojë edhe shteti i Kosovës”, nënvizoi ai.

Kosova, vend i basketbollit me ligë jo të mirë  

Ndërkohë, nga goja e Kotlebas nuk dolën vetëm këshilla apo kritika. Ai pati edhe fjalë të mira për basketbollin e këtushëm. Sipas tij, Kosova me interesimin e shikuesve dhe sukseset e Përfaqësueses e ka demonstruar se e do të këtë sport. “Ju keni treguar se jeni vend i basketbollit. Më ka befasuar Përfaqësuesja e Kosovës me arritjen e saj në eliminatore. Por, nuk është mirë të ëndërroni shumë, pasi qysh nesër nuk mund të arrihen sukseset. Duhet të punoni pa ndalur me lojtarët e rinj, pasi për çdo 5.000 basketbollistë, mund të nxirret një yll i nivelit ndërkombëtar. Momentalisht nuk e keni ligën në nivel të duhur”, vazhdoi ai.

Në fund Kotleba u shpreh se punimet duhet të kryhen tri javë para ndeshjes me Lituaninë, pra kah 2 nëntori.

Nga ana tjetër presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, ka thënë se bashkërisht me Kotleban dhe me drejtorin e Departamentit të Sportit në Ministrinë e Sportit, e kanë inspektuar palestrën për dy orë të tëra dhe tregon se ka marrë premtime nga Alaj se MKRS-ja do t’i heqë shpenzimet e rregullimit të sallës.

Sipas tij, kërkesat e FIBA-s nuk janë të parealizueshme dhe beson se Kosova me kohë do ta ketë gati palestrën e saj. Në ditët në vazhdim do të zgjidhet kompania kontraktuese që do t’i nisë punimet, të cilat mund të zgjasin 15-20 ditë. Problemi më i madh do të jenë ulëset, pasi do të intervenohet në të gjitha anët e palestrës dhe shikuesit do të jenë shumë pranë sallës. Sidoqoftë, Belegu beson se ata nuk do të bëjnë ndonjë problem, siç nuk kanë bërë as në të kaluarën kur ka luajtur Përfaqësuesja./Zëri/