Yjet e rinj të Championsit

Sport September 21, 2017 - 13:21

Liga e Kampionëve tashmë ka filluar dhe ne ua sjellim dhjetë yjet e rinj që pritet të lënë gjurmë në kompeticionin më të madh evropian. Naby Keita, i cili tashmë ka firmosur me Liverpoolin dhe do t’i bashkohet gjigandit anglez në verën e ardhshme, është njëri prej emrave të kësaj liste. Këtu gjithashtu mund t’i gjeni edhe Marco Asension, Moussa Dembelen dhe Thomas Lemarin, shkruan sot gazeta "Zëri".

Gazeta angleze “Daily Mail” sjell dhjetë yjet e rinj që duhet të vëzhgohen nga afër gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampionëve. Faza e grupeve të këtij kompeticioni ka filluar gjatë javës së kaluar dhe gjatë këtij edicioni pritet të sjellë “diamante” të rinj në sportin më të popullarizuar në botë.

Marco Asensio, 21-vjeçar (Real Madrid)

Zinedine Zidane thotë se ka nën urdhrat e tij lojtarin më të mirë mëngjarash që prej Lionel Messit. 21-vjeçari e filloi edicionin e ri në mënyrën më të mirë, duke realizuar dy gola në ndeshjet e Superkupës spanjolle kundër Barcelonës dhe gjithashtu fitoi ftesën nga përfaqësuesja spanjolle. Asensio pritet që të ftohet nga Spanja edhe në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Naby Keita, 22-vjeçar (Leipzig)

Presim që të shohim edhe më shumë nga Keita para së ta kompletojë transferimin e tij te Liverpooli gjatë verës së ardhshme. Jurgen Klopp e radhit Keitan krah Thiago Alcantaras si njëri prej mesfushorëve më të mirë në ligën gjermane.

Andriy Yarmolenko, 27-vjeçar (Borussia Dortmund)

Kur Ousmane Dembele u shit te Barcelona për 105 milionë euro, Dortmundi lëvizi shpejt dhe nënshkroi me Yarmolenkon nga Dinamo Kiev për 25 milionë euro. Ukrainasi ishte lidhur shpeshherë me një transferim drejt Evropës Perëndimore dhe e realizoi këtë gjë pas 10 vjetësh qëndrimi në Kiev.

Thomas Lemar, 21-vjeçar (Monaco)

Arsenali dështoi në tentativën për ta transferuar Lemarin për 100 milionë euro në ditën e fundit të afatit kalimtar. Francezi sigurisht që pritet të jetë njëri prej lojtarëve që do të lëvizë në drejtim të ndonjë klubi të madh evropian gjatë vitit të ardhshëm. Lemar vendosi t’i qëndrojë besnik Monacos këtë vit, pavarësisht largimeve të Kylian Mbappes, Benjamin Mendyt dhe Bernardo Silvas.

Vincent Aboubakar, 25-vjeçar (Porto)

Sulmuesi kamerunas shënoi 18 gola me Besiktasin gjatë edicionit të kaluar. Këtë vit ai është kthyer në Porto pas huazimit njëvjeçar të klubit turk. Newcastle, Swansea dhe Wolves kishin shprehur interesim për të, por Aboubakar gjatë këtij edicioni do ta udhëheqë sulmin e Portos.

Leander Dendoncker, 22-vjeçar (Anderlecht)

Mesfushori kishte shkëlqyer me paraqitjen kundër Manchester United në çerekfinalen e vitit të kaluar në Ligën e Evropës. Futbollisti është duke u vëzhguar nga zyrtarët e Manchester United dhe të Paris Saint-Germainit.

Youri Tielemans, 20-vjeçar (Monaco)

Duke parë çmimet e futbollistëve në ditët e sotme, Monaco arriti të nënshkruajë me Tielemans nga Anderlechti për vetëm 25 milionë euro. Mesfushori ishte zgjedhur “Lojtari i Vitit” gjatë edicionit të kaluar në ligën belge.

Moussa Dembele, 21-vjeçar (Celtic)

Sulmuesi francez realizoi 32 gola për Celticun gjatë edicionit të kaluar, tre prej të cilëve në Ligë e Kampionëve. Evertoni, Tottenhami dhe Manchester United kanë shprehur interesim për Dembelen.

Gabriel Barbosa, 21-vjeçar (Benfica)

Braziliani i njohur me nofkën “Gabigol” iu bashkua Benficas në formë huazimi nga Interi. Klubi italian kishte shpenzuar 28 milionë euro për shërbimet e Barbosas.

Johannes Geis, 24-vjeçar (Sevilla)

Mesfushori gjerman u transferua te Sevilla nga Schalke në formë huazimi. Klubi spanjoll mund ta kompletojë transferimin e tij në fund të verës për 8 milionë euro, Shihet si një futbollist i mundshëm që mund të ftohet nga përfaqësuesja gjermane në Kampionatin Botëror 2018./Zëri