I dorëzohen veç krizës financiare

Sport September 21, 2017 - 07:58

Ajo çka po i ndodh Vëllaznimit këto ditë është për gjynah. Në kohën kur futbollistët dhe trajnerët e tij filluan të befasojnë me rezultate të mira me të filluar kampionati i ri, ata janë detyruar të dorëzohen.

Kuqezinjtë nuk janë dorëzuar karshi kundërshtarëve në pesë javët e para të kampionatit. Nuk e kishin ndërmend të dorëzohen ndaj asnjë ekipi deri në fund të kampionatit. Por, kriza financiare ka rezultuar “armik” kryesor, e cila edhe i ka detyruar t’i çojnë “duart lart”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Gjakovarët i kanë ndërprerë stërvitjet. Qe dy ditë janë në bojkot në shenjë pakënaqësie me kryesinë e klubit, e cila nuk po i kryen obligimet financiare ndaj tyre.

Futbollistët po i arsyeton edhe trajneri Ismet Munishi. “Unë i arsyetoj lojtarët. Ata edhe më moti kanë dashur t’i ndërpresin stërvitjet, por e kanë respektuar kërkesën time për durim dhe kanë vazhduar. Atëherë më mirëkuptuan ata mua, kurse tani po i mirëkuptoj unë ata sepse konsideroj se kanë të drejtë pasi padrejtësia ndaj tyre është tepruar”, ka deklaruar Munishi për “Zërin”.

“Të gjithë e dinë se sa kanë punuar këta djem në fazën përgatitore. Dihen sakrificat e tyre. Shikoni rezultatet e tyre duke luajtur me shpirt e zemër për Vëllaznimin dhe Gjakovën. Me një referim pak më të mirë kemi mundur të jemi edhe në vendin e parë në tabelë. Andaj, këta djem meritojnë respekt më të madh. Duke e parë angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Vëllaznimin ata nuk e meritojnë një tretman të tillë, por meritojnë respekt dhe tretman më dinjitoz”, theksoi Munishi.

Trajneri meritor në këtë ecuri brilante të Vëllaznimit e ka treguar më qartësisht arsyen që e ka çuar Vëllaznimin në këtë situatë.

“Prej fillimit kemi pasur probleme financiare. Kryetari thuajse i vetëm e ka financuar Vëllaznimin. Një pjesë të obligimeve e pati kryer, pra për kontrata. Një rrogë është dhënë, por jo edhe rroga tjetër. Kryetari nuk e ka pritur mirë bojkotin, por lojtarët nuk kanë faj. Marrëveshjet janë bërë me vullnet e jo me zor, kështu që duhet respektuar ato”, thotë Munishi. “Ne si futbollistë dhe trajnerë po i kryejmë punët tona, madje siç është më së miri, kështu që edhe kryetari dhe Kryesia duhet t’i kryejnë punët e veta. Kemi pasur premtime edhe nga Komuna dhe premtime tjera të llojllojshme, por ato nuk janë realizuar”, u shpreh ai.

Munishi ndihet i zhgënjyer që rrethanat tjera, që nuk kanë të bëjnë me futbollin dhe profesionin e tij, ia ndalën hovin për ta treguar veten si trajner, por shpreh keqardhje që këto rrethana po ua pamundësojnë edhe futbollistëve të tij ta tregojnë forcën, kualitetin dhe profesionalizimin e tyre që e posedojnë.

Ndërkohë, kryetarit Shkëlzen Gashi i ka mbetur hatri në skuadrën e tij që e ka zgjedhur bojkotin në kërkim të parave. Ai ka theksuar se klubi ua ka borxh nga një pagë lojtarëve dhe se ka shkuar në Gjermani për t’i tubuar paratë për t’ua dhënë rrogat. Ndërsa, ka paralajmëruar se organizatori i bojkotit do të ndëshkohet.