Përfaqësuesja ia pa hairin 'brumit' të Kosovës

Sport September 15, 2017 - 12:14

Albert Bunjaki ishte akuzuar vazhdimisht se i ka lënë anash futbollistët e Superligës, duke u fokusuar vetëm tek ata që luajnë jashtë vendit. Mirëpo, ndër vite përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës i kishte afruar plot futbollistë që luanin në ligën vendore. Edhe tash në skuadrën Verdhekaltër janë disa futbollistë mjaft të rëndësishëm, si Rashica, Berisha, Rrahmani, Muriqi e së fundmi edhe Jashanica, që kanë dalë pikërisht nga futbolli kosovar. Përfaqësuesja definitivisht ia ka parë hairin edhe Superligës së Kosovës

Albert Bunjaki ka qenë gjithmonë cak i kritikave kur është bërë fjalë për zgjedhjen e lojtarëve për Përfaqësuesen e Kosovës.

Mbi të gjitha, i madh e i vogël e kanë kritikuar vazhdimisht për lënien anash të lojtarëve që luajnë në futbollin kosovar.

Mirëpo, gjërat nuk qëndrojnë ashtu siç duken dhe thuhen, shkruan sot gazeta Zëri.

Madje, lista është më e gjatë se që mendoni kur bëhet fjalë për lojtarë të Superligës, të cilët e kanë veshur dhe e veshin fanellën Verdhekaltër.

Qëkur e kishte marrë në dorë ekipin e Kosovës Bunjaki i kishte ftuar dhjetëra futbollistë të Superligës.

Ndërkaq, me kalimin e viteve konkurrenca ishte shtuar dhe kishte nisur “filtrimi” i lojtarëve.

Duke e pasur parasysh cilësinë superiore të lojtarëve që luajnë jashtë vendit, për ata që luajnë në futbollin nacional ishte zvogëluar hapësira.

Nëse kthehemi në vitin 2009, në Përfaqësuese kanë qenë thuajse të gjithë lojtarët nga Superliga e Kosovës, duke përfshirë këtu emrat si Mensur Duraku, Muhamet Dragusha, Behar Maliqi, Liridon Leci, Alban Dragusha, Ilir Nallbani, Dukagjin Gashi, Etrit Berisha, Milot Rashica, Kushtrim Mushica, etj.

Madje, ky i fundit kishte mbrojtur për Kosovën deri në vitin 2014. Në vitet e fundit për Kosovën kishin mbrojtur edhe portierët si Ilir Avdyli, Granit Kolshi e Flamur Neziri.

Kosova me 5 lojtarë të rëndësishëm që dolën nga Superliga

Në skuadrën aktuale të Përfaqësueses së Kosovës luajnë pesë futbollistë që kanë dalë nga Superliga. Rasti i fundit dhe më i freskët është ai i Bajram Jashanicës.

Mbrojtësi i Skënderbeut, i cili e kishte nisur karrierën në vendin tonë, luajti me sukses në qendër të mbrojtjes ndaj Kroacisë dhe Finlandës.

Ndër të tjera, pjesë mjaft e rëndësishme e Kosovës janë edhe katër futbollistë të tjerë që dolën nga futbolli kosovar, si mesfushori ofanziv Milot Rashica, që aktualisht luan me Vitessen në Holandë, pastaj qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, që momentalisht është pjesë e Dinamo Zagrebit në Kroaci, për të vazhduar me mesfushorin tjetër ofanziv, Bernard Berisha, që luan tek Akhmat Grozny në Rusi, si dhe Vedat Muriqi, që mbron ngjyrat e klubit turk, Gençlerbirligi.

Hajdini, “hasreti” aktual i Superligës

Sot për sot është një futbollist nga Superliga që ftohet rregullisht në Përfaqësuese. Bëhet fjalë për portierin e Trepçës ’89, Bledar Hajdini, i cili është portieri i tretë i ekipit të Bunjakit, pas Samir Ujkanit dhe Adis Nurkoviçit.

Bunjaki: Morëm lojtarë edhe nga Superliga

Trajneri Bunjaki po i shijon javët e fundit në krye të Përfaqësueses, shkruan Zëri.

Fokusi i tij gjithsesi se ka qenë tek diaspora, por kur ka parë lojtarë me vlera në kampionatin kosovar e ka vëzhguar me kujdes.

Ai asnjëherë nuk ka preferuar të bëjë ndasi në mes lojtarëve që luajnë në Kosovë dhe atyre jashtë vendit, por kur është futur në analizë gjithmonë e ka pranuar se lojtarët që luajnë në diasporë kanë diçka më shumë, mbi të gjitha në aspektin fizik, por edhe në atë të kualitetit.

Megjithatë, ka afruar edhe lojtarë që luajnë apo kanë luajtur më parë në Superligën e Kosovës.

“Kanë thënë që tek Kosova nuk luajnë lojtarë nga Superliga, por kjo nuk është e vërtetë. 5-6 lojtarë që vijnë nga Superliga janë pjesë e jona falë punës, profesionalizmit dhe rrugës që e kanë bërë për të ardhur këtu ku janë”, ka thënë trajneri kosovar.

Futbollistët e Superligës mbeten me shpresë që edhe pasardhësi i Bunjakit do t’i ketë nën vëzhgim dhe do t’ua japë rastin atyre. /Zëri/