Kërkah hiq me hendboll

Sport September 14, 2017 - 12:07

Besa është dominuese absolute në hendbollin kosovar. Gjithnjë ankohet se nuk po ka kundërshtarë të denjë në Kosovë. Mirëpo, ekipi pejan po tregohet shumë i dobët në gara evropiane. Ish lojtari legjendar i Besës, tani trajner i saj, Arben Muqolli, thotë se liga e dobët kosovare po ia bën sherrin ekipit të tij në gara evropiane. Ai thotë se kur Besa nuk arrin të bëjë asgjë në Evropë, paramendoni çfarë debaklesh mund të pësojnë ekipet tjera kosovare. Në anën tjetër, Federata e Hendbollit thotë se kryesitë e klubeve duhet të ndërmarrin masa, gjë që assesi nuk po e bëjnë

Skuadrat kosovare të hendbollit vazhdojnë të zhgënjejnë në garat evropiane, shkruan sot gazeta Zëri.

Besa Famgas tek meshkujt dhe Prishtina tek femrat u eliminuan qysh në xhiron e parë të EHF Cup.

Skuadra pejane është dominuese absolute në hendbollin kosovar të pasluftës, por kur bëhet fjalë për gara evropiane ekipi Bardhekuq ka krejt pamje tjetër, duke u treguar inferiore ndaj kundërshtarëve.

Edhe pse e kishte fituar duelin e parë me ekipin turk Beykoz me 8 gola dallim, Besa u mposht me -12 gola në Turqi, duke i dhënë fund eksperiencës evropiane shumë herët.

Ky është viti i dytë radhazi që pejanët eliminohen qysh në rundin e parë.

Trajneri Arben Muqolli ndien keqardhje për këtë eliminim, të cilin e konsideron si turpërues. Sipas tij, mungesa e ndeshjeve më të shpeshta të forta dhe liga e dobët e Kosovës ka ndikuar shumë në paraqitjet e pejanëve në Evropë.

“Ishte një dështim total yni, që prej meje e deri tek lojtari më i ri. Është një eliminim i turpshëm, nuk e kishim ditën tonë. Nuk ditëm ta ruanim avantazhin e lojës së parë. Kemi dështuar si ekip. Më vjen keq për tifozët, për klubin dhe për sponsorët tanë që shpenzojnë aq shumë”, ka thënë fillimisht Muqolli për “Zërin”.

Sipas tij, fatkeqësia më e madhe është se tash pejanëve u duhet të presin një vit të plotë për t’i shijuar ndeshjet e forta.

“Problemi më i madh yni është se nuk ka lojë të fortë në kampionat. Pa filluar kampionati dihet se ne do të jemi kampion, nuk kemi motiv kur e dimë këtë. Madje as lojtarët e rinj që debutojnë nuk e kanë motivin e duhur kur e dinë fundin. Luajmë shumë pak lojë të forta, vetëm me Prishtinën në kampionat dhe kemi bërë tri miqësore. Këto nuk mjaftojnë për të arritur suksese në Evropë”, vazhdoi ai.

“Liga është shumë e dobët, është hajgarellëk. Është mëkat se në çfarë niveli ka ardhur liga e Kosovës. Në këtë mënyrë u bie morali lojtarëve. Kur ne nuk po mund të arrijmë suksese në garat evropiane, paramendojeni sa kanë mundësi ekipet tjera, që mezi kompletohen”, ankohet legjenda e hendbollit kosovar, i cili shpreson që një ditë liga e Kosovës të forcohet, si dikur dhe të ketë më shumë konkurrencë, së cilës do t’ia shihnin hairin ekipet në daljet e tyre në Evropë.

Gjinovci: Ky është realiteti i sportit kosovar

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Izet Gjinovci, e pranon se shtëpia e hendbollit kosovar nuk ndihet mirë për këto rezultate të skuadrave kosovare, por mendon se kjo nuk është diçka e pazakontë pasi vetë sporti kosovar në përgjithësi është në këtë nivel.

“Gjithçka varet se sa investojnë klubet, sa kanë mundësi. Ky është realiteti i sportit kosovar. Edhe në sportet tjera po mungojnë sukseset, prandaj nuk mund të presim më shumë as në hendboll. Nuk e shoh këtë si tragjike, por sigurisht se nuk është një gjë e mirë. Ne si Federatë jemi munduar vazhdimisht t’i mbështesim dhe t’i ndihmojmë klubet në infrastrukturë dhe në dalje në Evropë, ndërsa më pas u mbetet kryesive të klubeve t’i krijojnë kushtet”, u shpreh Gjinovci për gazetën.

Madje FHK-ja e sheh më të rëndë dhe më brengosëse eliminimin e Prishtinës (femrat), e cila i humbi të dyja ndeshjet në shtëpi, sesa atë të pejanëve.

Në përgjithësi skuadrat kosovare të hendbollit kanë pasur paraqitje të zbehta në Evropë, madje kohë pas kohe duke pësuar edhe debakël. Por, hendbollit kosovar ka ditur t’ia zbardhë fytyrën Shqiponja (femrat), e cila kishte shkuar larg për dy vjet radhazi. /Zëri/