Sport

Skënderbeu për lekë në Europa League

Skënderbeu për lekë në Europa League
14 shtator 2017 • 12 : 04 foto • zëri.info

Skënderbeu të enjten do të startojë në fazën e grupeve të Europa Leagues si mysafir i Dinamos së Kievit.

Kampioni i shtatëfishtë i Shqipërisë do të garojë në Grupin B karshi Young Boys, Dinamos së Kievit dhe Partizanit të Beogradit, shkruan sot gazeta Zëri.

Natyrisht, kualifikimi i mëtutjeshëm konsiderohet si një mision i pamundur për skuadrën nga Korça, i cili ka bërë plane tjera që kanë të bëjnë me përfitime financiare.

Skënderbeu ka të garantuara miliona euro vetëm nga pjesëmarrja në fazën e grupeve të Europa Leagues.

Mirëpo, presidenti Ardian Takaj planifikon ta shfrytëzojë rastin dhe të përfitojë sa më shumë lekë nga gjashtë ndeshjet e fazës së grupeve.

Mediet në Tiranë kanë zbuluar se Skënderbeu planifikon ta shfrytëzojë pjesëmarrjen në Europa League për t’i shitur nëntë lojtarë.

Në mesin e tyre janë katër futbollistë nga Kosova.

Skënderbeu deri më tani i ka fituar rreth 1.5 milion euro nga shitja e dy futbollistëve kosovarë, Liridon Latifit dhe Bernard Berishës.

Ndërsa shpreson të fitojë para të majme edhe nga Bajram Jashanica, Enis Gavazaj, Fidan Aliti dhe Suad Sahiti.

Mësohet se Takaj dhe trajneri Ilir Daja janë pajtuar që t’u jepet hapësirë maksimale këtyre lojtarëve në Europa League për t’i reklamuar para klubeve tjera evropiane, në mënyrë që t’i shesin gjatë afatit kalimtar të dimrit dhe atë të verës së ardhshme.

Sipas uebfaqes së specializuar të futbollistëve, “Transfermarkt”, mbrojtësi 26-vjeçar, Bajram Jashanica, si dhe mesfushori 23-vjeçar, Fidan Aliti, aktualisht në tregun e futbollistëve kanë çmim prej 315 mijë eurosh.

Kurse mesfushorit 22-vjeçar, Enis Gavazaj, kushton 270 mijë euro. Ndërsa, 135 mijë euro kushton katroni i Suad Sahitit. Mirëpo, vlera e tyre mund të rritet përnjëherë posa të startojnë në Europa League dhe kjo posaçërisht varet nga paraqitjet e tyre.

Krahas katër kosovarëve, Skënderbeu në shtije i ka vënë edhe Bakari Nimagan, Sabjen Lilajn, Gledi Micin, Beneyam Demten dhe Jurgo Pëllumbin.

Prej të gjithë këtyre futbollistëve, ish-lojtari i FC Prishtinës Enis Gavazaj pritet të shitet i pari.

Madje, Gavazaj mund të largohet qysh në janar nga Skënderbeu pasi ai ka rënë në sy të klubeve të huaja qysh më herët, kurse Europa League vetëm se do ta vendosë të ardhmen e tij. /Zëri/

© zëri.info