Vllaznia e Pozheranit 'shokon' kampionen e Kosovës

Sport September 13, 2017 - 18:26

Befasia më e madhe në xhiron e katërt të Superligës ka ndodhur të mërkurën në Gjilan. Ekipi i posainkuadruar në Superligë, Vllaznia, e ka ndërprerë serinë prej tri humbjeve edhe atë me fitore prej 2:1 kundër kampionit në fuqi, Trepçës ’89, raporton "Zëri".

Ekipi nga Pozherani kaloi në epërsi prej 1:0 në minutën e 25-të përmes Almedin Muratit, kurse Rron Broja me një gol të bukur nga gjuajtja e lirë e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 44-të. Në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë skuadra e Bekim Isufit përmes Festim Alidemës e shënoi golin e epërsisë, i cili rezultoi edhe i fundit në ndeshje. Duhet kujtuar se nga minuta e 78-të Vllaznia ka luajtur pa Alban Rexhepin e përjashtuar nga loja.

S’ka fitore për Prishtinën në Drenicë

FC Prishtina nuk ka arritur të fitojë si mysafire e Drenicës. Përballja në mes tyre ka përfunduar baras, 1:1. Mysafirët kanë kaluar të parët në epërsi përmes malazezit Drashko Bozhoviç në minutën e 83-të.

Por, kuqezinjtë e kanë barazuar rezultatin  në minutën e fundit përmes Genc Hamitit. Në fakt, kuqezinjtë ishin të pafat, pasi gjatë pjesës së parë tri herë e kanë qëlluar shtyllën. Dy herë bardhekaltrit i ka “dridhur” Enis Zabërxha kurse njëherë tjetër Hysen Tahiri, njofton "Zëri". 

Liria "fikë" Dritën

Liria ka arritur ta shënojë fitoren e dytë, kurse Drita ka zhgënjyer sërish, duke e pësuar humbjen e dytë brenda katër xhirove të para të kampionatit të ri. Prizrenasit e shfrytëzuan përparësinë e terrenit për ta treguar forcën e vërtetë me një fitore prej 2:0 ndaj gjilanasve,  raporton "Zëri".

Golat për tri pikë të reja të Lirisë i shënuan Qëndrim Gashi dhe Artur Magani. Kështu, Liria me dy fitore e dy humbje ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve dhe kthen vetëbesimin, duke e lënë pas vetes Dritën me vetëm 4 pikë. Kjo humbje pritet ta ndajë ekipin e pasur gjilanas me trajnerin Milaim Zuzaku.

Besa më e fortë sesa Flamurtari

Besa i ka fituar edhe tri pikë tjera shumë të rëndësishme të cilat mund t’i kryejnë punë për vazhdimësi më të qetë. Pejanët e kanë mposhtur Flamurtarin me rezultat 2:0. Kapiteni Fetim Kasapi ishte heroi i Besës, pasi realizoi golat e tij ia shkaktuan humbjen e tretë Flamurtarit. /Zëri/