Për medalje në Botëror

Sport August 23, 2017 - 13:00

Xhudoja kosovare synon të jetë protagoniste në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në Budapest të Hungarisë. Katërshja kosovare, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova, janë përgatitur maksimalisht për këtë sfidë të vështirë. Trajneri Driton Kuka pret nga tri xhudistet e tij të fitojnë medalje, pa marrë parasysh ngjyrën e saj. Pa dyshim krejt sytë janë kah Majlinda, e cila e synon titullin e tretë botëror

Xhudoja kosovare e ka përpara saj sfidën më të madhe të vitit 2017, shkruan sot gazeta Zëri.

Xhudistët kosovarë do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Xhudos, i cili do të mbahet nga 28 gushti deri më 3 shtator në Budapest të Hungarisë.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova janë katër garuesit e këtushëm që do të kërkojnë medalje në kryeqytetin hungarez. Ata kanë punuar javëve të fundit dhe janë të përkushtuar maksimalisht që t’ia sjellin përsëri buzëqeshjen Kosovës.

Trajneri Driton Kuka pret shumë mbi të gjitha nga tri xhudistet e tij, ndërsa e ka synimin edhe për xhudistin “hasret” në këtë eveniment.

“Do të marrim pjesë në Botëror me katër garues. Medalje realisht kanë gjasa për të fituar Majlinda, Nora e Distria, kurse Akili e ka vështirë. Për të do të ishte mirë që të ketë plasman, pra të përfundojë në mesin e 8 të parëve”, thotë trajneri i suksesshëm pejan për “Zërin”.

Kuka: Çdo medalje është sukses

Kuka nuk e ka doemos për garuesit e tij që të shpallen kampionë bote. Atij do t’i mjaftonte medalja, pra që garuesit të futen në podium. “Për mua çdo medalje është sukses”, shtoi ai.

Image

Sytë kah Majlinda

Pa dyshim pritshmëritë më të mëdha janë tek Majlinda Kelmendi, e cila është shpallur dy herë kampione bote dhe tash e synon titullin e tretë, derisa ajo ka fituar më parë dy herë titullin e kampiones evropiane dhe një herë është shpallur vjet kampione olimpike.

“Majlinda është përgatitur mjaftueshëm, të shohim”, nënvizoi ai.

Konkurrencë e frikshme

Kuka është i vetëdijshëm se xhudistët e tij nuk do ta kenë aspak të lehtë pasi do të kenë punë më kundërshtarë të fortë dhe me një konkurrencë të frikshme, të paparë ndonjëherë.

“Disponimi tek garuesit është i mirë, përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Konkurrenca këtë vit është e tmerrshme. Kategoria e Majlindës sivjet do të jetë më e fortë se kurdoherë. Do të jenë dy japoneze, dy ruse dhe dy braziliane”, vazhdoi ai.

Sipas Kukës, këtë vit motivi i krejt garuesve pjesëmarrës do të jetë shtesë, për faktin se fondi për fituesit e medaljeve do të jetë 1 milion euro.

Prej tyre, vendi i parë në çdo kategori do t’i marrë nga 26 mijë euro, i dyti 15 mijë dhe i treti 12 mijë.

Rreth 800 garues do të shpresojnë të fitojnë medalje në Botërorin e Xhudos, që do të mbahet në Budapest.

Në mesin e tyre do të jetë edhe katërshja kosovare, Majlinda, Nora, Distria e Akili, ndërsa konkurrenca do të jetë mjaft e fortë, në sportin që praktikohet nga 28 milionë njerëz në më shumë se 200 vende të botës. /Zëri/