Amerikani që e shkroi historinë e Kosovës

Sport August 23, 2017 - 12:44

Amerikanët e kanë me të lindur basketbollin, njëjtë si brazilianët futbollin, shkruan sot gaeta Zëri.

Dhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ia besoi pikërisht një amerikani udhëheqjen e Përfaqësueses së Kosovës në parakualifikimet e botërorit “Kina 2019”.

Dhe shtëpia e basketbollit kosovar nuk gaboi, pasi Brad Greenberg e drejtoi me sukses ekipin Verdhekaltër, me të cilin regjistroi dy fitore e dy humbje, të cilat i mjaftuan që ta dërgojë Kosovën në kualifikimet e Botërorit.

Që prej 1 korrikut, kur e kishte nisur punën, amerikani e ngriti lart Përfaqësuesen, pas disa miqësoreve të zhvilluara dhe përgatitjeve intensive, ndërsa në fund iu shpërblye mundi. Me nga një fitore ndaj Maqedonisë dhe Estonisë ekipi i tij e preu biletën për eliminatore të Botërorit.

Ai thotë se Kosova e meritonte një dhuratë të tillë dhe ndihet i lumtur dhe krenar që u bë pjesë e historisë së basketbollit kosovar.

“Kualifikimi është rezultat i punës së palodhshme të të gjithëve, duke filluar nga lojtarët, që janë më të merituarit për këtë sukses, më pas trajnerët, fizioterapeutët, mjekët, stafi i federatës, krerët e federatës, pra të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë gjatë këtyre 50 ditë punë intensive”, theksoi fillimisht ai.

“Fitorja kundër Estoninë, një kombëtare kjo shumë e fortë dhe shumë e respektueshme në basketbollin evropian për ne, ka qenë shumë e rëndësishme, pra edhe vendimtare për pozitën tonë më tutje. Megjithatë, me përkrahjen e tifozëve që ishin të mrekullueshëm, ashtu si edhe në ndeshjen e parë, ne ia dolëm që të triumfojmë në një ndeshje triller”, shtoi ai.

Greenberg u shpreh se për të ka qenë kënaqësi dhe është shumë krenar që e ka pasur rastin t’i udhëheqë basketbollistët si Dardan Berisha dhe Erjon Kastrati, që janë treguar liderë të vërtetë, por edhe lojtarë tjerë që punuan pandërprerë çdo ditë në mënyrë që të arrihet deri te ky sukses dhe në fund bashkërisht u arrit qëllimi, që ishte kalimi i fazës parakualifikuese të Botërorit, edhe pse kosovarët nuk kishin kundërshtarë të lehtë.

“Unë jam i vetëdijshëm se ky sukses do të thotë shumë për Kosovën dhe jam shumë i lumtur që edhe unë isha pjesë e këtij suksesi historik”, përfundoi Greenberg, i cili tash po e pret me padurim shortin e së enjtes, ku Kosova do t’i mësojë emrat e tre kundërshtarëve që do t’i ketë në grup në fazën eliminatore të Botërorit të Kinës.

Edhe basketbollistët Dardan Berisha, Erjon Kastrati e Lis Shoshi ndihen të privilegjuar që kontribuuan në suksesin e jashtëzakonshëm të basketbollit kosovar, pasi ata ishin protagonistë, ndërkohë që lojtarët dhe trajneri i kanë falënderuar tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme. /Zëri/