Kështu e nisi skuadra kosovare eksperiencën në Ligën e Kampionëve

Sport August 22, 2017 - 18:51

Hajvalia e ka nisur me humbje eksperiencën evropiane, shkruan zeri.info.

Skuadra prishtinase është mposhtur të martën me rezultat 2:0, në ndeshjen e parë parakualifikuese të Ligës së Kampionëve nga skuadra hungareze, MTK Hungaria, e cila është themeluar në vitin 2002 dhe i ka fituar shtatë tituj kampioni të këtij shteti.

Vashat prishtinase e kanë dhënë maksimumin, duke u mbajtur për 60 minuta pa pësuar gol, ndërkohë që kanë krijuar edhe disa raste, por në fund u treguan të pafuqishme për t’ju bërë ballë kundërshtareve.

MTK Hungaria, e cila luan qe gjashtë vjet radhazi në Ligën e Kampionëve, ku e ka kaluar rregullisht fazën eliminatore, ka kaluar në epërsi fillimisht në minutën e 60-të falë golit të mesfushores Zsuzsanna Szabo.

Hungarezet nuk u kënaqën me kaq, pasi e gjetën edhe golin e dytë përmes zëvendësueses Rita Mery, e cila shënoi në minutën e 83-të.

Eksperienca e Hajvalisë nuk mbyllet me kaq. Skuadra nga paralagjja e Prishtinës do të luajë kundër ekipit BIIK-Kazygurt, që ka tetë tituj kampioni në Kazakistan.

Kjo ndeshje do të zhvillohet të premten më 25 gusht. Ndërkaq, ndeshjen e fundit në grup Hajvalia do ta luajë ndaj ekipit portugez, Sporting, me ndeshjen që do të luhet të hënën e 28 gushtit.

Sportingu është riaktivizuar edicionin e shkuar pas 21 vjetësh dhe menjëherë e ka fituar titullin dhe Kupën e Portugalisë.

Siç dihet, Hajvalia mori pjesë në këtë eveniment edhe sezonin e kaluar, por nuk arriti ndonjë rezultat. Kjo skuadër po e dominon futbollin e femrave në Kosovë në vitet e fundit. /Zëri/