Latifi drejt Hungarisë, ja sa përfiton Skënderbeun

Sport August 14, 2017 - 13:04

Liridon Latifi drejt largimit në këmbim të 1 milionë Eurove për arkat e Skënderbeut. Është padyshim lajmi më i bujshëm i kësaj merkatoje me 23-vjecarin që është gati të fillojë një aventurë të jashtë vendit, te Pushkash Akademi në Hungari. Ekipi është ngjitur këtë vit në Kategorinë maksimale të futbollit hungarez dhe drejtuesit kanë një projekt ambicioz për të arritur sa më shpejt majat, të ngjashëm me atë të Leipzig në Gjermani dhe për këtë arsye janë të gatshëm të investojnë menjëherë shuma të rëndësishme. Për këtë arsye dhe oferta është nga ato të parezistueshmet, 1 milionë Euro, shifër e denjë për Skënderbeun për një tjetër shitje rekord si ajo e Olyainkës që u largua për një shumë të përafërt, shkruan "Super Sport".

Që ishte i përzgjedhuri i shitjes ekselente të kësaj vere kjo dihej, por vonimi i tratativave dhe mbi të gjitha aventura europiane e Skënderbeut bënë që për pak kohë emri i tij të mos lidhej me merkaton. Gjithsesi pritshmëritë janë drejt respektimit dhe Latifi është gati të nisë një aventurë të re, Skënderbeu synon ta ketë edhe për dy ndeshjet e play off-it të Europa League me Dinamon e Zagrebit, nëse do t’i realizonte të dyja, bashkë me shitjen e Latifit edhe kualifikimin, do të ishte padyshim një rekord përfitimesh absolut për një klub shqiptar, tjetër shembull se projektet afatgjatë dhe inteligjente funksionojnë edhe në aspektin financiar në futbollin shqiptar.