Ajeti debuton në Kupën e Italisë

Sport August 13, 2017 - 12:30

Vetëm pak ditë pas transferimit te Crotone, Arlind Ajeti ka debutuar me skuadrën e re në Kupën e Italisë. Mbrojtësi shqiptar u aktivizua në çastet e fundit të ndeshjes së fituar 2-1 përballë Piacenzas, shkruan "Super Sport".

Ajeti u aktivizua nga stoli në minutën e fundit të kohës së rregullt, me kuqeziun që vazhdon periudhën e përshtatjes te skuadra e re, ku projektohet të jetë një prej shtyllave të mbrojtes për edicionin e ri në Serinë A.

Ndërkohë, ndeshjet e Kupës konfirmuan edhe një herë se Ledian Memushaj është në prag të lamtumirës nga Pescara. Mesfushori i Kombëtares nuk luajti në ndeshjen që “delfinët” fituan 3-1 në fushën e Brescias së Emanuele Ndoj.

Mesfushori 20-vjeçar i Shpresave ishte titullarë për ekipin nga Lombardia, që i ka besuar një rol të rëndësishëm për sezonin e ri në Serinë B. Në anën tjetër mungesa e aktivizimit të Memushajt erdhi prej faktit se vlonjati është fare pranë transferimit te Benevento në Serinë A, me marrëveshjen që pritet të konkretizohet në orët në vijim

Aty Memushaj do ti bashkohet Berat Gjimshitit të huazuar nga Atalanta. Mbrojtësi nga Lugina e Preshevës nuk luajti në Kupë, ndërsa Benevento u eliminua pas humbjes 4-0 me Perugian.

Fitore për Barin e Migjen Bashës, që mposhti 2-1 Cremonesen dhe u kualifikua në turin e katërt. Basha, që mbetet titullar në ekipin e trajnerit Grosso, u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e dytë, ndërsa u zëvendësua në minutat e fundit të lojës.