FC Prishtina u kthehet vuajtjeve

Sport August 02, 2017 - 13:33

Pas eliminimit nga gara kualifikuese për Europa League, FC Prishtina menjëherë nisi reformimin e skuadrës për edicionin e ri, i cili do të fillojë më 19 gusht. Bardhekaltrit bënë ndryshime të mëdha në përbërjen e futbollistëve e po ashtu për dhjetë ditë qëndruan në Banjë të Pejës, ku shfrytëzuan kushte shumë të mira për përgatitje, raporton Zëri

Mirëpo, tashmë prishtinasit janë kthyer nga Banja e Pejës dhe me ushtrime po vazhdojnë në Obiliq, aty ku i zhvilluan shumicën e ndeshjeve dhe stërvitjeve gjatë edicionit të kaluar shkaku i mungesës së fushave të futbollit në kryeqytet, ku edhe stadiumi kryesor po vazhdon të rinovohet, por me dinamikë shumë të vogël.

Në mungesë të infrastrukturës në kryeqytet, bardhekaltrit gjatë gjithë edicionit të kaluar e kanë hequr të “zinjtë e ullirit” duke udhëtuar çdo ditë larg Prishtinës për t’i kryer aktivitetet sportive me të gjitha ekipet zingjirore, gjë që i ka kushtuar shtrenjtë edhe në aspektin financiar. Sfidë e njëjtë po i pret edhe në edicionin e ri. “Pas dhjetë ditëve të përkryera të fazës përgatitore në kushtet optimale të kompleksit të hotelit “Onix” të Banjës, skuadra rikthehet në Kastriot – në fushën ndihmëse, aspak të mirë. Pra, bardhekaltrit po vazhdojnë vuajtjet për fushë stërvitore!”, thuhet në uebfaqen e klubit më të madh të Kosovës, i cili ndihet i lënë krejtësisht pas dore nga të gjitha institucionet, sidomos nga Komuna e Prishtinës, e cila assesi nuk po i përmbahet premtimit të kryetarit Shpend Ahmeti për ndarjen e një parcele toke për ndërtimin e fushave të futbollit, çfarë i mungojnë veç kryeqytetit, por jo edhe qendrave tjera të Kosovës./Zëri