Shkëlqen Berisha, Atalanta thyen Borussia Dortmund

Sport August 02, 2017 - 12:33

Një fitore ëndrrash për Etrit Berishën dhe Atalantën. Skuadra nga Bergamo mposhti 1-0 gjigandët e Borussia Dortmund në testin e fundit të luajtur në Austri, aty ku skuadra zhvilloi fazën përgatitore, shkruan "Super Sport"

Portieri shqiptar qëndroi 90 minuta në fushë, në miqësoren e luksit, duke dhënë sërish garanci mes shtyllave: Prej minutave të para, me një pritje vendimtare pas tentativës së Isak.

Berisha ishte i shkëlqyer edhe në pjesën e dytë të lojës. Fillimisht duke evituar një tjetër gol të sigurt përballë të riut Philipp (min 57), ndërsa më pas neutralizoi edhe tentativën e Pulisic.

Me gardianin kuqezi që garantoi paprekshmërinë e portës, Atalanta shfrytëzoi gabimin e portierit Reimann, duke kaluar në avantazh me Ilicic në minutën e 72-të.

Kjo ishte rrjeta që vendosi rezultatin final të sfidës. Një ndeshje që u cilësua si “Testi Europian” për zikaltërit dhe që dha garanci të rëndësishme se Atalanta e Etrit Berishës është gati për të befasuar edhe në Europa League.