“Dardanët” besojnë

Sport August 02, 2017 - 10:52

Kosova sonte starton në parakualifikimet e Botërorit “Kina 2019”. Maqedonia është kundërshtarja e parë.  Skuadra verdh e kaltër synon ta shfrytëzojë përkrahjen e madhe të tifozëve dhe ta nis me fitore këtë kampanjë, të cilën shpreson ta kalojë me sukses. Në anën tjetër, maqedonasit po llogarisin se në Prishtinë përballë do t’i kenë dy kundërshtarë – skuadrën kosovare dhe tifozët e saj. Natyrisht, fqinjët kanë ardhur për fitore, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll i ka harruar humbjet e thella që i pësoi në vitin e kaluar në kualifikimet për “EuroBasket”, ndërsa tani iu është përqendruar maksimalisht parakualifikimeve për Kampionatin Botëror “Kina 2017”. Këtë sfidë “Dardanët” do ta fillojnë të mërkurën mbrëma. Kosova dhe Maqedonia garojnë në Grupin C bashkë me Estoninë. Përfaqësuesit tanë ndeshjen e parë do ta zhvillojnë të mërkurën në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë prej orës 20:00 kundër Maqedonisë.

Për Verdhekaltrit deri më tani thuajse nuk ka pasur fare pushim veror, pasi e kanë zhvilluar një fazë serioze të përgatitjeve, duke zhvilluar edhe ndeshje kontrolluese. Kosovën tashmë po e udhëheq trajneri amerikan, Brad Greenberg, i cili shpreson ta arrijë objektivin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), e i cili është kualifikimi në fazën tjetër. Kosovës i mjafton të mos përfundojë e fundit në grup për të ecur tutje. Ky është synimi kryesor. Greenberg thotë se ky nuk është mision i pamundur për ekipin e tij, natyrisht, nuk është as i lehtë. Një fitore përballë Maqedonisë do ta motivonte ekipin e tij për ndeshjet e radhës, do t’ia shtonte vetëbesimin për ta kaluar me sukses këtë sfidë parakualifikuese, e gjithsesi se do t’i shtonte edhe forcë skuadrës kosovare. “Jemi duke menduar vetëm për Maqedoninë. Ekipi ynë ka punuar shumë dhe jemi zotuar që ta japim maksimumin. Në këto parakualifikime do të kemi përballë ekipe të mira kështu që na mbetet ta japim maksimumin për të arritur rezultate sa më të kënaqshme”, ka deklaruar Brad Greenberg, i cili nuk do të mund të llogarisë në tre basketbollistët e natyralizuar që janë lënduar: Justin Doellman, Shawn Jones Scott Bamforth. Mirëpo, ai në dispozicion të plotë do t’i ketë tri ardhjet e reja: Lis Shoshin, Erjon Kastratin edhe Gëzim Morinën, raporton Zëri.

Edmond Azemi, Dardan Berisha dhe shokët tjerë të tyre pritet të kenë përkrahje të madhe të tifozëve kosovarë, “Dardanëve”. Maqedonasit janë të vetëdijshëm për atmosferën e “nxehtë” që i pret në kryeqendrën kosovare. Megjithëkëtë, ata besojnë se do ta kalojnë me sukses këtë sfidë dhe do ta bëjnë hapin e parë drejt kualifikimit në fazën tjetër. Derisa Kosova synon kualifikimin në nivelin tjetër garues, Maqedonia ka ambicie shumë më të mëdha – pjesëmarrjen në Botëror. Kështu ka thënë përzgjedhësi i shtetit fqinj, Jordanço Davidkov. “Kosova nuk ka ndonjë ekip shumë cilësor, por nuk është as për t’u nënçmuar. Do të jetë ndeshje e vështirë për ne sepse Kosova me eufori do të kërkojë fitore dhe jemi të vetëdijshëm se do të ketë përkrahje të fortë të shikuesve”, ka thënë Davidkov. “Në pyetje janë 40 ditë sa jemi përgatitur, andaj jemi të gatshëm 100 për qind. Shpresoj ta arrijmë objektivin tonë, kualifikimin në Botëror”, ka potencuar ai.

Maqedonia e ka natyralizuar njërin prej fundorëve më të mirë në Evropë, kurse në Kosovë do t’i mungojë basketbollisti kryesor i saj me përvojë nga NBA, Pero Antiç i Fenerbahches. Maqedonasit kanë mbërri në Kosovë të martën, ku e kanë zhvilluar edhe një seancë stërvitore./Zëri

Image