Atraksionet vazhdojnë në Brezovicë

Sport July 28, 2017 - 19:06

Shtegu i Brezovicës është vend takimi i radhës për automobilistët kosovarë.

Në këtë fundjavë zhvillohet gara e katërt e diciplinës malore në kuadër të Kampionatit të Kosovës për këtë vit.

Karakteristikat e shtegut, rivaliteti i madh që po mbretëron sivjet, veturat gjithnjë e më atraktive si dhe fakti që diciplina malore është më tërheqëse për dashamirët e këtij sporti, bëjnë që pritjet për shikueshmërinë edhe këtë herë të jenë të mëdha.

Duke marrë parasysh edhe numrin e madh të gurbetçarëve tanë që aktualisht janë për pushime në Kosovë, është e sigurt që një numër i konsiderueshëm i tyre do ta shfrytëzojnë rastin që duke kaluar fundjavën në këtë pjesë të bukur të vendit, të përcjellin edhe garën.

Bardhyl Canolli, Valdet Krasniqi, Naim Dashaj, Blerand Hasanaj e të tjerët premtojnë garë atraktive, ndërsa Federata e Auto Sportit e Kosovës, në bashkëpunim me Auto Klubin Ferizaj i kanë ndërmarrë të gjitha masat që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme.

Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve po ashtu do të jenë aty për të asistuar në mbarëvajtjen e garës.

FASK-u kërkon mirëkuptim nga kalimtarët e rastit, të cilët do të duhet të presin në intervale të caktuara kohore, por gjithsesi do të kujdeset që pritjet e tyre të jenë sa më të shkurtëra.

Paraqitja e pjesëmarrësve në garë bëhet të shtunën nga ora 8:30 - 9:30.

Pas procedurave të zakonshme, do të zhvillohen dy vozitje provuese, ndërsa të dielën janë dy vozitjet zyrtare.

Përmbyllja e aktivitetit është paraparë të dielën rreth orës 15:30 me shpalljen zyrtare të fituesve.