Të gjithë në mbështetje të Përfaqësueses së Kosovës

Sport July 28, 2017 - 16:07

Sot në zyre të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) është organizuar konferenca e radhës për media, ku të pranishëm kanë qenë numri një i FBK-së, Erolld Belegu, përfaqësuesi i kompanisë së marketingut Base, Kreshnik Mustafa dhe lideri i tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha.

Qëllimi i organizimit të kësaj konference ishte shpalosja e detajeve rreth kampanjës së marketingut të Përfaqësueses së Kosovës, shitjes së biletave dhe organizimit të tifozëve për ndeshjen e parë të fazës së parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Erolld Belegu, kryetar i FBK-së:

“Pas konferencës së djeshme ku e shpalosëm sponsorin e radhës të Përfaqësueses A, bankën TEB, sot jemi këtu të pranishëm për të prezantuar kompaninë Base, e cila e ka marr përsipër marketingun e ndeshjeve si vendas të fazës parakualifikuese, shitjen e biletave dhe sigurimin e sponsorëve për Përfaqësuesen A. Po ashtu i pranishëm është edhe lideri i tifozëve ‘Dardanët’, Lulzim Berisha, i cili do të flas rreth organizimit të tifozëve për ndeshjen me Maqedoninë. FBK është duke punuar intensivisht në përgatitjet përfundimtare për këtë fazë parakualifikuese, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë të organizimit të ndeshjeve si nikoqir, dhe besojmë se gjithçka do të jetë gati së pari për të mërkurën e ardhshme, kundër Maqedonisë, e më pas edhe për takimet tjera që na presin në kuadër të kësaj faze parakualifikuese”.

Kreshnik Mustafa, përfaqësues i kompanisë së marketingut Base:

“Kompania e marketingut Base e ka nënshkruar një kontratë me FBK-në, ku ne e marrim përsipër kampanjën për Përfaqësuesen e Kosovës për ndeshjet si vendas, duke filluar nga dizajni i fanellave, videos reklamuese, bilbordave e shitjes së biletave. Pra ne do të bëjmë çmos që nëpërmjet kampanjës tonë të sjellim sa më shumë njerëz në palestër. Biletat do të dalin në shitje të martën në ora 16:00 para NeëBorn te Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe tek amfiteatri te sheshi ‘Zahir Pajazaiti’. Kompania Base është duke e bërë një punë të madhe me kampanjën e saj për Përfaqësuesen A në mënyrë që të kemi sa më shumë të interesuar për ndeshjen e Kosovës si nikoqire”.

Lulzim Berisha, lider i tifozëve “Dardanët”:

“Ftoj që të gjithë adhuruesit e sportit në përgjithësi që të mërkurën në orën 20:15 të jenë në numër sa më të madh të pranishëm në palestër. Ne si tifozë do të organizohemi dhe mobilizohemi maksimalisht për të përkrahur Përfaqësuesen tonë. Ne kemi besim të madh tek djelmoshat tanë dhe jemi të bindur se së pari do të mposhtim Maqedoninë dhe më pas edhe do të kualifikohemi tutje. Besoj se e mërkura do të jetë ditë feste në Kosovë, sepse djemtë tanë e meritojnë mbështetjen e të gjithëve”.

Përfaqësuesja e Kosovës do të bëjë gara në Grupin C së bashku me Maqedoninë dhe Estoninë.

Ndeshjen e parë, Kosova do ta luaj si nikoqire, kundër Maqedonisë, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me fillim nga ora 20:15. /Zëri/