Ta nisim me këmbë të mbarë!

Sport July 28, 2017 - 12:26

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është gati për kampanjën parakualifikuese të Botërorit 2019, që nis javën tjetër. Verdhekaltrit thonë se miqësoret e fundit i kanë ndihmuar shumë që të komponohen dhe të “njoftohen” me forcën e tyre. Ata synojnë ta mposhtin Maqedoninë më 2 gusht dhe ndihen optimistë se eksperienca e tyre në këto paraeliminatore do të jetë pozitive. Ata presin mbështetje edhe nga lojtari i gjashtë i tyre, tifozët “Dardanët”

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll synon ta nisë me këmbë të mbarë kampanjën paraeliminatore të kampionatit botëror “Kina 2019”, shkruan sot gazeta Zëri.

Verdhekaltrit ndihen të gatshëm për sfidat që i presin nga java e ardhshme, duke filluar nga dueli me Maqedoninë, i cili do të zhvillohet më 2 gusht në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Përzgjedhësi Brad Greenberg thotë se miqësoret që i zhvilloi Përfaqësuesja e kanë ndihmuar shumë ekipin që të komponohet dhe ta dijë se sa i fortë është dhe se ku duhet përmirësuar.

Kosova e mposhti dy herë Shqipërinë, një herë Sllovakinë dhe u mund nga Austria e Sllovakia nga një herë, duke e mbyllur miniturneun me tri fitore nga pesë të mundshme.

Trajneri amerikan ndihet mjaft i kënaqur me javët e para dhe thotë se kosovarët do ta bëjnë më të mirën për ta nisur pozitivisht këtë fazë parakualifikuese.

“Jemi duke e bërë një punë shumë të mirë të gjithë së bashku. Lojtarët janë duke e dhënë më shumë se maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Prej fillimit të fazës përgatitore punët kanë shkuar ashtu siç kemi planifikuar. Jam shumë i kënaqur me punën e lojtarëve, sepse në çdo seancë stërvitore e kanë angazhimin maksimal. Kjo na shtyn të besojmë se jemi në rrugën e duhur të komponimit sa më të mirë të ekipit në mënyrë që ndeshjet parakualifikuese të na gjejnë sa më të përgatitur”, u shpreh fillimisht ai në konferencë për shtyp.

“Ndeshja me Maqedoninë po afrohet, andaj i gjithë fokusi ynë është tani te ky takim. Besojmë se do të jemi të gatshëm për t’i kënaqur të gjithë adhuruesit e basketbollit, të cilët do të jenë të mërkurën të pranishëm në palestër dhe ata që do të na përcjellin nëpërmjet televizorit”, vazhdoi ai.

Image

Berisha: Optimist se do ta mposhtim Maqedoninë

Dardan Berisha thotë se skuadra kosovare është përgatitur sa duhet për duelet që e presin muajin e ardhshëm. Edhe kapiteni i Përfaqësueses shprehet se ekipit i kanë shërbyer mjaft miqësoret e fundit, ndërsa beson se Verdhekaltrit do të dalin mirë nga duelet me maqedonasit dhe estonezët, sidomos në ndeshjet si vendës.

“Në aspektin profesional jemi përgatitur mjaft mirë, besoj se ndeshjet miqësore që i kemi zhvilluar na kanë ndihmuar ta shohim më për së afërmi formën tonë. Prej të hënës jemi kthyer në Kosovë pas një miniturneu që e kemi pasur, ku i kemi luajtur 5 ndeshje miqësore dhe tani jemi duke punuar intensivisht që të përgatitemi sa më mirë për fazën parakualifikuese, e në veçanti për ndeshjen me Maqedoninë”, tha njëri prej basketbollistëve më të mirë kosovarë.

“Shpresoj dhe besoj shumë se do të kemi përkrahje maksimale nga tifozët, sepse ata janë lojtari ynë i gjashtë. Unë jam shumë optimist se me këtë përbërje që e kemi dhe me ndihmën e shikueseve së pari do ta mposhtim Maqedoninë dhe më pas Estoninë. Këtu e kam fjalën për ndeshjet si vendas, e më pas do të mendojmë edhe takimet si mysafirë”, vazhdoi Berisha, i cili e falënderoi për mbështetjen dhe motivin që ia jep ekipit banka TEB, e cila edhe sivjet do të jetë sponsor i Përfaqësueses.

Përfaqësuesja e Kosovës do të bëjë gara në Grupin C së bashku me Maqedoninë dhe Estoninë. Ndeshjen e parë Kosova do ta luajë si nikoqire kundër Maqedonisë, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me fillim nga ora 20:15. /Zëri/