Liria 'kërcënon' Superligën nga Ohri

Sport July 28, 2017 - 12:23

Liria pritet t’u shkaktojë probleme të mëdha të gjitha skuadrave të Superligës së Kosovës në edicionin e ri, i cili do të fillojë pas pak javësh.

Këtë po e paralajmërojnë vetë prizrenasit me përforcimet dhe përgatitjet që po i bëjnë e mbi të gjitha me rezultatet që po i shënon në ndeshjet kontrolluese.

Skuadra bardhezi është njëra prej më të përforcuarave në këtë afat kalimtar, shkruan sot gazeta Zëri.

Fillimisht angazhoi në postin e trajnerit Blendi Shkëmbin, ish-lojtarin e Kombëtares Shqiptare, i cili në qytetin e lashtë i solli edhe disa futbollistë nga Shqipëri si përforcime.

Ata janë: Endri Vrapi, Jetmir Sefa, Artur Magani, Elton Basriu dhe portieri Mikel Kaloshi.

Ekipin bardhezi e kanë përforcuar edhe Stefan Kocev nga Maqedonia dhe Mevlan Zeka i ardhur nga Feronikeli.

Dhe këto përforcime kanë nisur t’i japin Lirisë fryte dhe shpresa për një sezon pozitiv.

Kështu mund të thuhet nëse merren parasysh rezultatet e saj në ndeshjet kontrolluese që po i zhvillon.

Prizrenasit qe disa ditë gjenden në Ohër të Maqedonisë ku po përgatiten për sezonin e ri dhe njëkohësisht po zhvillojnë ndeshje testuese në proces të komponimit të skuadrës dhe inkuadrimit të ardhjeve të reja dhe Blendi Shkëmbi me lojtarët e tij po shënojnë progres të madh në këtë drejtim.

Ata deri më tani i kanë zhvilluar tri ndeshje miqësore dhe i kanë fituar të tria ato.

Fillimisht kanë mposhtur Laçin me rezultat 3:0, pastaj e kanë mundur Teteksin me rezultat 2:0 dhe së fundmi kanë triumfuar përballë Podebas me nam me rezultat 2:1.

Në edicionin e kaluar prizrenasit ishin nën ethe deri në fund të kampionatit pasi gjatë gjithë kohës luftonin për mbijetesë, përkatësisht për t’iu shmangur barazhit, gjë që e arritën krejt në fund duke përfunduar në vendin e tetë të Superligës me dhjetë fitore, shtatë barazime e gjashtëmbëdhjetë humbje, respektivisht me 37 pikë, dy më shumë prej zonës së rrezikshme.

Kështu, kampionati i kaluar duket t’i ketë dhënë mësim Lirisë, e cila herët ndërmori masa, e reformoi skuadrën, me të cilën në kampionatin e ri synon majat e Superligës.

Madje, bardhezinjtë e kanë bërë të qartë se do të tentojnë ta fitojnë edhe ndonjërin prej trofeve – titullin ose Kupën. /Zëri/