Genoa 90-milionëshe 'troket' në Prishtinë

Sport July 27, 2017 - 12:48

Genoa mund të bëhet klubi më i madh që zbarkon në Kosovë. Klubi më i moçëm i Italisë i ka kërkuar FC Prishtinës takim miqësor para publikut kosovar më 5 ose 6 gusht. “Topi” tani është te klubi më i madh kosovar, i cili së shpejti duhet të vendosë nëse dëshiron ose jo të luajë me Genoan dhe t’i kthejë përgjigje. Bardhekaltrit ndihet të nderuar e të respektuar nga nëntë herë kampionia italiane, e cila aktualisht vlerësohet mbi 90 milionë euro

Pas paraqitjes në kualifikimet e Europa Leagues FC Prishtina ka shans të mirë që të përmendet sërish jashtë Kosovës.

Bardhekaltërve u është ofruar një mundësi e mirë për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me njërin prej klubeve më të vjetra dhe më të famshme italiane.

Genoa është klubi që ka shprehur gatishmërinë për të zbarkuar në Kosovë para publikut kosovar për ta takuar klubin më të madh të vendit tonë.

Lajmin e ka bërë të ditur FC Prishtina, e cila të mërkurën njoftoi se italianët i kanë kërkuar takim miqësor më 5 ose 6 gusht.

Ndërsa, i mbetet bordit të klubit bardhekaltër për t’i kthyer përgjigje klubit nga Serie A, shkruan sot gazeta Zëri.

“Përmes një shkrese, dërguar kryetarit tonë Remzi Ejupit, Genoa CFC e ka shprehur gatishmërinë për të zbarkuar në Kosovë për ta zhvilluar një miqësore me skuadrën tonë bardhekaltër, më datën 5 ose 6 gusht”, thuhet në njoftimin e FC Prishtinës, e cila ndihet e nderuar nga Genoa.

“Me këtë rast, FC Prishtina ndihet e nderuar dhe shumë e respektuar nga klubi i famshëm italian, nëntë herë kampionia e Italisë. Sigurisht se Bordi i FC Prishtinës do ta shqyrtojë këtë kërkesë të italianëve dhe brenda javës sigurisht se do t’i kthejë përgjigje”, theksohet në njoftim.

Image

Genoa, historia e Italisë

Italia konsiderohet një vatër e madhe dhe e vjetër e futbollit.

Është njëri prej shteteve më të njohura për futboll, kurse Genoa është klubi më i vjetër në futbollin italian, prej atyre që aktualisht janë aktive.

Klubi që i ka kërkuar takim miqësor në Kosovë FC Prishtinës është themeluar më 7 shtator të vitit 1893.

Njëkohësisht ky klub, i cili mban emrin e qytetit të vet, është njëri ndër më të trofeshmit në Itali.

Pas Juventusit, Milanit dhe Interit, Genoa është skuadra që ka fituar më së shumti tituj të kampionit. Ajo i posedon nëntë tituj të kampionit.

Genoa është skuadra e parë që e ka fituar “Scudetton” prejse e mban këtë emër trofeu i kampionit.

Si e tillë Genoa ka fituar respekt të madh ndërkombëtar, shkruan Zëri.

Image

Genoa, 92 milionë euro

Genoa mund të bëhet klubi më i madh dhe më i vlerësueshëm që zbret në Kosovë nëse FC Prishtina ia pranon kërkesën për ta zhvilluar një ndeshje miqësore më 5 ose 6 gusht.

Vlera e kësaj skuadre llogaritet të jetë mbi 90 milionë euro. Sipas uebfaqes së specializuar të futbollistëve dhe klubeve, Genoa përbëhet nga futbollistë që në total vlerësohet me 92 milionë euro.

Genoa ka një portier, kartoni i të cilit kushton 15 milionë euro. Ai është Mattia Perin.

Pjesë e kësaj skuadre janë edhe Giovanni Simeone dhe Andrea Bertolacci që vlerësohen me nga 10 milionë euro.

Gianluca Lapadula është një tjetër yll i Genoas, që kushton 8 milionë euro dhe po gati aq vlen edhe Diego Laxalt.

Trajner i saj është kroati i njohur Ivan Juriç. /Zëri/