Një ligë e pazakontë

Sport July 27, 2017 - 12:05

Ligën e futbollit në Afganistan aktualisht e përbëjnë vetëm tetë ekipe. Garat zhvillohen veç në një qytet. Zhvillohen vetëm 18 ndeshje kampionale. Kjo ligë, e krijuar në vitin 2012, ua ka dhënë të rinjve gjënë më të mirë - normalitetin

Hera e fundit kur futbolli afgan tërhoqi vëmendjen e medies botërore ishte për shkak të një djaloshi të ri, idhullit të tij dhe të një qeseje plastike.

Lionel Messi takoi djaloshin Murtaza Ahmadi në dhjetor pas një fotografie të djaloshit, në të cilën aty shihej ai që kishte veshur një qese plastike dhe në të kishte vizatuar fanellën e Messit.

Kjo fotografi kishte tërhequr vëmendjen në gjithë botën, shkruan sot gazeta Zëri.

Pasi Ahmadi ishte lokalizuar në provincën Ghazni në lindje të Afganistanit, djaloshi, i cili ishte refugjat i Kombeve të Bashkuara, u takua me Messin para ndeshjes miqësore të Barcelonës me Al-Ahlin, ndeshje në të cilën Ahmadi kishte qenë maskota zyrtare.

Fatkeqësisht, për shkak të kësaj ngjarjeje të famshme familjes së djaloshit i është dashur të largohej në drejtim të Pakistanit, për shkak të frikës së një kidnapimi të djaloshit, një gjë e cila është mjaft e zakonshme në Afganistan.

Ky është njëri prej problemeve më të mëdha në vendin, i cili vazhdon të mbetet i ndarë pas disa dekada konfliktesh.

Por tani ka një shpresë për vendin me një histori problematike e ajo është Premierliga afgane, e cila ka filluar para pesë vjetësh.

Kjo ligë përbëhet nga tetë skuadra, sezoni zgjat vetëm tre muaj, nga muaji gusht deri në tetor dhe të gjitha ndeshjet, gjithsej 18, luhen në një qytet të vetëm. Por, ekzistenca e kësaj lige tregon se futbolli mund të sjellë gjëra të mira në situata të vështira.

Edhe pse kishte pasur kompeticione të tjera para fillimit të kësaj lige në vitin 2012, vit në të cilin NATO-ja kishte larguar trupat nga vendi, ky është kompeticioni i parë profesional në Afganistan dhe përfaqëson një hap të madh për tifozët e futbollit në këtë vend.

Futbolli gjithmonë ka qenë i popullarizuar në Afganistan. Federata Afgane e Futbollit (AFF) ishte hapur në vitin 1933 dhe ishte bërë pjesë e FIFA-s në vitin 1948 (kur edhe luajtën ndeshjen e parë zyrtare në Londër ndaj Luksemburgut, të cilën e humbën me rezultatin 6-0), kurse pjesë e Konfederatës Aziatike të Futbollit u bë në vitin 1954.

Nën regjimin taliban prej vitit 1996 deri në vitin 2001 futbolli nuk tolerohej dhe rrallë luhej ndonjë ndeshje.

Kishte edhe dënime brutale, madje edhe ekzekutime publike në stadiume pas pjesës së parë të ndeshjeve.

Pavarësisht tentimeve për të kthyer jetën normale në Afganistan, forcat talibane vazhdojnë të mbesin në vend.

Kështu që, për shkaqe sigurie ndeshjet zhvillohet në dy stadiumet e kryeqytetit Kabul.

Afganistani ka përfituar ekonomikisht nga investimet ndërkombëtare në futboll. FIFA ka investuar 1.5 milion dollarë që prej vitit 2005 për të përmirësuar infrastrukturën sportive. Investime ka pasur edhe nga Gjermania dhe nga Britania e Madhe.

Tetë ekipet e ligës afgane përfaqësojnë tetë regjionet kryesore të vendit. Në finalen e vitit të kaluar De Maiwand Atalan, klubi nga rajoni jugperëndimor i vendit, i cili mbetet i kontrolluar nga talibanët, luajti kundër Shaheen Asmayees nga Kabul, që konsiderohet “zemra” e qeverisë.

Pavarësisht ndarjeve politike skuadrat arritën të zhvillonin një ndeshje mjaft të mirë, gjë e cila është një shenjë inkurajuese për vendin.

Njëri prej themeluesve të kësaj lige, Chris McDonald thotë: “Futbolli është duke u kthyer në një pasion, sjell kënaqësi dhe lumturi dhe është një gjë të cilën duhet ta vazhdojmë në këtë mënyrë”. /Zëri/