Refuzoi edhe Serbinë për Prishtinën

Sport July 27, 2017 - 11:49

I ka mjaftuar një javë për t’u ambientuar në FC Prishtinë, shkruan sot gazeta Zëri.

Malazezi Drashko Bozhoviç i është bashkuar klubit më të madh të Kosovës para shtatë ditësh, ndërsa tani po kënaqet me bardhekaltrit në Banjë të Pejës, ku e kanë vendosur kampin e tyre përgatitor për edicionin e ri.

Mesfushori 29-vjeçar shpreh falënderime për mirëpritjen që ia kanë bërë shokët dhe trajnerët e ekipit të tij të ri në Kosovë, për të cilin kishte refuzuar oferta që kishte marrë jo vetëm në vendlindjen e tij në Mal të Zi, por edhe ato që i kishin ardhur nga Serbia.

“Kam ardhur në Prishtinë përmes një mikut tim, i cili është menaxher. Kam ardhur në Prishtinë pasi ky klub synon të bëhet kampion i Kosovës pasi nuk ka qenë i tillë qe katër vjet. Kam dëgjuar që Prishtina ka projekt serioz dhe që është duke e ndërtuar stadiumin. Kam pasur oferta nga Superliga e Malit të Zi dhe ajo e Serbisë, por më kanë pëlqyer ambiciet e Prishtinës dhe vendosa të vij këtu”, ka deklaruar Bozhoviç në një bisedë me gazetën “Zëri”.

Image

Ai aktualisht është duke ushtruar me ekipin larg kryeqytetit dhe mezi pret të kthehet në kryeqendrën e Kosovës, të cilën e ka parë dhe i ka lënë përshtypje të mira.

“Momentalisht gjithçka është mirë. Nuk kam qenë kurrë më herë në Prishtinë. Prishtina është një qytet i madh, dy herë më i madh se Podgorica. Më kanë mirëpritur trajneri dhe bashkëlojtarët dhe po ndihem sikur të isha këtu qe disa vite”, ka theksuar futbollisti i ardhur nga Rudari i Pljevljes.

Bozhoviç: Erdha për titull dhe për Kupë

Mesfushori malazez Drashko Bozhoviç mezi po e pret fillimin e kampionatit të ri në Kosovë, në të cilin ka ardhur me ambicie të mëdha.

Dëshiron t’i ndihmojë FC Prishtinës që ta kthejë në kryeqytet titullin e kampionit pas disa vitesh pritjeje e po ashtu ta shijojë edhe Kupën e Kosovës.

“Ambiciet tona janë që të jemi në krye të tabelës dhe do të mundohemi ta fitojmë Kupën për ta mbyllur sezonin me dy trofe”, thotë ai.

“Mendoj se Prishtina është klubi më i mirë në Kosovë, me traditë të madhe, që çdo vit e kërkon titullin e kampionit. Shpresojmë që këtë vit ta arrijmë këtë dhe të luajmë në kualifikime të Ligës së Kampionëve dhe të mundohemi edhe aty të arrijmë diçka”, ka potencuar ai. /Zëri/

Image