Shqiptarët sytë kah shqiptarët

Sport July 27, 2017 - 11:40

Shkëndija sonte do ta vazhdojë udhëtimin evropian nëpër Lituani, ku do të përballet me Trakain në ndeshjen e parë të rrethit të tretë të eliminatoreve për Europa League.

Pasi e eliminuan në rrethin e parë Dacian pa pikë problemi, “Shqiponjat” triumfuan edhe në rundin e dytë përballë Helsinkit, duke e mundur me rezultat të përgjithshëm 4:2 nga dy ndeshjet e zhvilluara ndërmjet vete, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndërsa tani klubi i madh shqiptar nga Maqedonia, në pronësi të familjes Destani dhe të “Ecolog”-ut, synon ta bëjë hapin tjetër të madh drejt fazës së grupeve, gjë që është prioritet dhe ëndërr e kahershme e Shkëndijës.

“Ne vazhdimisht kemi hyrë nga ndeshja në ndeshje për të mos u ngarkuar psikikisht. Ne do të vazhdojmë ta marrim secilën ndeshje veç e veç. Duam të vazhdojmë me këso rezultatesh dhe të shkojmë sa më larg”, ka deklaruar trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.

Ndeshja ndërmjet Trakait dhe Shkëndijës zhvillohet të enjten prej orës 18:30. Kjo do të jetë hera e katërt në histori që Shkëndija ndeshjen e parë do ta luajë si mysafire.

Të enjten e kaluar në Finlandë, kundër HJK Helsinkit, skuadra shqiptare zhvilloi ndeshjen e 20-të te kupat evropiane, ku është përballur nga dy herë me 10 kundërshtarë, pesë prej të cilëve ka arritur t’i eliminojë.

Prej Partizanit të Beogradit, në debutim në vitin 2011, e deri te HJK Helsinki të enjten e kaluar Shkëndija regjistron 8 fitore, 5 barazime dhe 7 disfata.

Tani ekipi tetovar ka shkuar në Lituani për histori të re, duke kërkuar rezultat pozitiv para revanshit më 3 gusht, kur do të synohet kalimi në “Play-Off” të UEFA Europa Leagues.

Duhet cekur se Shkëndija është njëri prej ambasadorëve më të mirë të futbollit shqiptar në vitet e fundit.

Kjo skuadër ka arritur deri në rrethin e tretë të këtij kompeticioni në vitin paraprak, ndërsa sivjet synon ta shkruajë historinë duke shkuar edhe më larg, respektivisht në “Play-Off” të kësaj gare, e pse jo më pas edhe në fazën e grupeve, gjë të cilën deri më tash e ka shijuar vetëm një skuadër shqiptare, Skënderbeu, i cili po ashtu është ende në këtë kompeticion.

Klubi i madh shqiptar nga Korça të enjten do të luajë si mysafir i Mlada Boleslav në Çeki. Ky është kundërshtari më i fortë që takon Skënderbeu në këtë kampanjë kualifikuese.

Të enjten synon ta nxjerrë një rezultat sa më pozitiv, në mënyrë që t’i mbajë shpresat gjallë për ndeshjen kthyese. /Zëri/