Një boshnjak, kosovar dhe vlonjat

Sport July 26, 2017 - 11:47

Adis Nurkoviç kohë më parë i kishte befasuar të gjitha vendet e rajonit kur kishte pranuar të merr nënshtetësi të Kosovës dhe të luajë për përfaqësuesen e Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Portieri boshnjak njihet si lojtari i parë që ka pranuar natyralizimin për të luajtur për Kosovën, ani pse realisht atë nuk e ndërlidh asgjë tjetër me vendin tonë përveç se bashkëshortja e tij i përket komunitetit boshnjak që jeton në Kosovë. Sidoqoftë, Nurkoviç asnjëherë nuk e fsheh kënaqësinë e tij      që i mbron ngjyrat e përfaqësueses kosovare, ani pse më herët pati luajtur tri herë për Bosnjën e Hercegovinën dhe ishte portier i të gjitha ekipeve zingjirore të saj. Pas disa ndeshjeve sa qëndroi në bankinë si rezervist i Samir Ujkanit, Nurkoviçit në ndërkohë i kishte ardhur momenti për ta mbrojtur portën e Kosovës shkaku i një dëmtimi të kapitenit, Ujkani. Debutimin e kishte regjistruar në humbjen e Kosovës prej 1:4 nga Turqia në Shkodër, në kampanjën kualifikuese të Botërorit. Edhe pse kishte pranuar goxha gola, Nurkoviç i kishte pëlqyer Flamurtarit të Vlorës, me të cilin pastaj kishte nënshkruar kontratë. Dhe, në këtë mënyrë ai është lidhur edhe më shumë me shqiptarët. Kështu, pasi u bë kosovar, Nurkoviç sot ndihet edhe si një vlonjat i Shqipërisë. 

“Jam shumë i kënaqur në Vlorë. Ndihem vlonjat, pasi të gjithë më kanë respektuar. Është një qytet shumë i bukur. Në këto ditë të para të stërvitjes me ekipin jam ndier shumë mirë”, ka deklaruar Nurkoviç. Për më tepër, ai gëzohet që për herë të parë do të luajë në kampionatin e Shqipërisë. “Për mua kjo është eksperienca e parë në një klub shqiptar të Superiores. Premtoj se do të jap maksimumin tim në realizimin e objektivave, duke bërë më të mirën time dhe duke dhënë eksperiencën që kam. Është një gjë shumë e mirë të japësh kontributin tënd në futbollin shqiptar”, ka theksuar Nurkoviç për “Panorama Sport”. Ai dëshiron që vlonjatët t’i përfaqësojë në gara evropiane me Flamurtarin në edicionin e ardhshëm. Nurkoviç më herët ka bërë karrierë edhe në Travnik, te Çeliku, Slaven Belupo, Cibalia, Krajina Cazin, Slavonija dhe Jedinstvo Bihaç./Zëri