Adnani ia bën Kosovës me sy! (FOTO)

Sport July 22, 2017 - 13:34

Thuajse si asnjëherë më parë, Adnan Januzaj është treguar i “butë” karshi shqiptarëve, të cilët gjithnjë i refuzonte, madje në mënyrë të vrazhdët. Gjatë prezantimit në Real Sociedad 22-vjeçari takoi disa tifozë shqiptarë, me të cilët edhe bëri fotografi pranë flamujve të Kosovës dhe Shqipërisë. A është kjo shenjë që Adnani është përmirësuar dhe po e pret një ftesë nga Kosova, së cilës deri më tani i ikte? Përzgjedhësi Albert Bunjaki thotë se tash është vonë, sepse Adnani nuk ia hapte derën kur i trokiste në të. Ndërsa tani po i bën gati ftesat për ata lojtarë që gjithnjë mezi i presin ato, shkruan "Zëri"

Nuk ka kaluar kohë aq e gjatë kur tifozët shqiptarë, i madh e i vogël, e lusnin Adnan Januzajn që t’i bashkohej Kombëtares së Shqipërisë.

Por, futbollisti dhe babai i tij as që dëgjonin. Ata e kishin pranuar ftesën e Kombëtares së Belgjikës, me të cilën Januzaj kishte shkuar edhe në botërorin “Brazili 2014”, ku kishte hapësirë minimale për të luajtur.

Ndërsa, pas atij evenimenti lojtari nisi ta marrë tatëpjetën në Manchester United, me ç’rast Belgjika më nuk e bëri hesap, kurse shansi “kuqezi” iu kishte djegur.

Sidoqoftë, Januzaj ishte me fat, pasi Kosova u pranua në UEFA dhe në FIFA dhe në këtë mënyrë vendlindja e prindërve të tij ia hapi dyert, madje e luti shumë dhe gjatë, por ai dhe babai i tij sërish u treguan shumë refuzues.

Me sjelljet e tyre, duke iu shmangur çdo përpjekje të shqiptarëve për t’i afruar pranë vetës, i bënë ata të konsiderohen të “ftohtë” karshi atdheut.

Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, ishte lodhur duke i ndjekur në përpjekje për ta inkuadruar Januzajn në skuadrën e tij. Por, ata nuk po ia jepnin as shansin për t’’ia bërë ftesën Adnanit. Dhe, Bunjaki dikur ishte lodhur e kishte vendosur të mos vrapojë më pas futbollistit, i cili posa u transferua në Real Sociedad nga Manchester United për rreth 10 milionë euro, shkruan "Zëri".

Image

Mirëpo, gjatë prezantimit në Spanjë u shfaq një Adnan Januzaj tjetër prej atij që ishim mësuar ta shohim. Ai përshëndeti dhe bëri fotografi me disa tifozë shqiptarë që po mbanin flamuj të Kosovës dhe të Shqipërisë, por edhe atë të Belgjikës.

Në këtë mënyrë, Januzaj u dha edhe pak shpresë atyre tifozëve shqiptarë që akoma shpresojnë ta shohin me fanellën e Kosovës. Derisa Shqipëria është mundësia e humbur përjetësisht, i hapur mbetet akoma opsioni i Kosovës, për të cilën Januzaj ka të drejtë të luajë, pasi ende nuk është aktivizuar në nivele të larta me Belgjikën pas anëtarësimit të vendit tonë në UEFA dhe në FIFA.

Mirëpo, selektori Albert Bunjaki nuk po merret më me Januzajn, madje as pas gjestit befasues të tij, kur u fotografua me tifozë shqiptarë dhe mbante flamurin e Kosovës.

“Nuk e di a ia vlen të merremi me këtë lajm. Unë edhe tri javë do t’i dërgoj ftesat për dy lojë dhe kemi prioritet tjetër, para se të merremi me fotografi të tilla”, ka deklaruar për “Zërin” seleksionuesi kosovar.

Bunjaki thotë se si përzgjedhës ka bërë çmos që t’i afrohet Januzajt për t’ia bërë ftesën.

Por, dyert e shtëpisë së tij mbaheshin të mbyllura për të, sa që dikur vendosi ta lërë këtë punë dhe të merret me futbollistët që kishin pranuar të luanin për Kosovën dhe me ata që mezi po e prisnin një ftesë të tij.

“Unë derën nuk e kam gjetur të hapur tek Adnan Januzaj dhe nuk e kam ndërmend të hyj për dritare. Nuk është as traditë, as kulturë e jona shqiptare”, ka theksuar Bunjaki.

Ankesë të ngjashme në Adnan Januzajn dhe babain e tij kishte edhe ish-përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni De Biasi, i cili kishte bërë çmos që ta inkuadrojë në skuadrën kuqezi, sidomos pas “shpërthimit” të tij në Premierligë.

Por,  Januzaj nuk ia kishte hapur telefonin dhe nuk u ishte përgjigjur fare as mesazheve të tij. Dhe, kjo ishte konsideruar sjellje e keqe nga Januzaj jo vetëm nga trajneri italian, por nga të gjithë shqiptarët. /ZËRI/ 

 

Image