Prej ushtrisë në futboll!

Sport July 22, 2017 - 11:21

Tom Broadbent ulet në tavolinën e një kafeneje në Bristol dhe tregon historinë se si ishte qëlluar në Afganistan gjersa ishte duke dëgjuar grupin muzikor “Red Hot Chili Peppers”.

Mbrojtësi shquhet për muskujt e tij të formësuar, gjë e cila kishte befasuar edhe disa nga lojtarët e Chelseat para disa muajve, shkruan "Zëri".

Kjo histori ngjan me një përrallë, edhe pse më këtë nuk pajtohet vetë lojtari, i cili tregon historinë e mrekullueshme të tij. 25-vjeçari është duke shkruar një kapitull të ri në jetën e tij.

Broadbent është duke u larguar nga ushtria për ta filluar një karrierë në futbollin profesionist me skuadrën e Bristol Rovers.

Image

“Është një gjë të cilën e kam dashur gjithmonë”, thotë ai duke qeshur. “Ende nuk më besohet që më ka ardhur një mundësi e tillë”, shton më pas.

Edhe pse teknikisht do të jetë një ushtar i Ushtrisë Mbretërore deri më 4 shtator, Broadbent i është falënderues ushtrisë, e cila i lëshoi sinjalin e gjelbër për këtë kalim.

“Menaxheri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Nick de-Long, më ka ndihmuar për këtë gjë. Nick është një mik i mirë me Tommy Dohertun, i cili kishte luajtur së bashku me Danny Coles te Bristol City. Danny tani është menaxher dhe kështu filloi gjithçka”, thotë Tom, transmeton "Zeri.info".

“Nick kërkoi nga unë që t’i dërgoja një video. Kam regjistrimet e të gjitha ndeshjeve të luajtura, kështu që e përgatita vetë videon. Është një video 13-minutëshe, e thjeshtë, por e cila tregon gjërat kryesore. Pas dërgimit të videos, Nick më telefonoi dhe më tha: ‘Do ta kesh një testim provues’”, shprehet ai.

Një mbrojtës i fuqishëm me një këmbë të majtë mjaft të mirë, i cili gjithashtu realizoi një gol nga goditja e lirë në ndeshjen ndaj Marinës Mbretërore.

Të gjitha këto aftësi bënë që trajneri i Roversit të bindej dhe t’i ofronte Broadbentit një kontratë.

Broadbent vendosi që t’i bashkohet ushtrisë në moshën 19-vjeçare.

Image

“Nuk e di pse hyra, nuk ishte një gjë e cila më interesonte. Por, punova me trupin tim dhe i kalova të gjitha trajnimet bazike, gjatë asaj kohë nuk pata kohë për të luajtur futboll. Pak më vonë fillova të luaja paksa dhe menjëherë arrita që të inkuadrohesha në ekipin e ushtrisë, pastaj dashuria për futbollin u rikthye përsëri”.

Broadbent ka vizituar shumë vende gjatë kohës së tij në ushtri, duke përfshirë edhe Afganistanin, vend në të cilin kalon pesë muaj gjatë vitit 2014.

“Për të qenë i sinqertë, në fillim isha i lumtur. Çdokush që i bashkohet ushtrisë dëshiron të shkojë në ndonjë vend tjetër. Por, kur nëna ime e morri vesh, ajo nuk ishte e lumtur. Ndoshta është më e vështirë për njerëzit në shtëpi sesa për atë që është jashtë vendit. Në Afganistan punoja në një avion spiunazhi që të gjeja vende të sigurta për ushtarët në vijën e frontit”, shprehet mbrojtësi i ri i Bristol Roversit, përcjell "Zëri".

“Disa herë kemi kaluar nëpër breshëri plumbash. Isha në një mjet të blinduar, kështu që nuk shqetësohesha shumë. Një herë isha duke dëgjuar muzikë dhe një shok imi më drejtohet: ‘A e dëgjove këtë?’Gjatë kësaj kohe vetëm kishte filluar të dëgjohej një zhurmë e madhe nga plumbat. Shpejt unë vendosa dëgjueset e veshit dhe akoma më kujtohet kënga të cilën isha duke e dëgjuar. Ishte grupi “Red Hot Chili Peppers” me këngën Scar Tissue”.

Tani pas tre vjetësh Broadbent ka kaluar këto situata dhe tashmë do ta fillojë një etapë të re në karrierën e tij, duke luajtur me Bristol Roversin. /ZËRI/

Image