'Dardania Arena' po bëhet

Sport July 22, 2017 - 10:06

Më në fund bëhet një hap konkret drejt realizimit të projektit madhor, që ka të bëjë me ndërtimin e stadiumit nacional në Bërnicë të Poshtme të Komunës së Prishtinës.

Ministria e Sportit të premten njoftoi se kanë filluar procedurat për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e këtij stadiumi në një lokacion 4.5 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, në një hapësirë prej rreth 37 hektarësh, ku përpos stadiumit parashihet të ndërtohen edhe objekte të tjera sportive nacionale.

Ndërtimi i këtij stadiumi parashihet të kushtojë 40-50 milionë euro dhe pritet të ketë kapacitet prej afro 30 mijë shikuesve, shkruan "Zëri".

Ky stadium do ta mbajë emrin “Dardania Arena”, gjë që konfirmohet edhe nga vetë Ministria e Sportit, e cila në kumtesën për medie i referohet me këtë emër stadiumit nacional.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dëshiron të informojë se ka nisur me proceduat e prokurimit për Studimin e Fizibilitetit të Qendrës Nacionale për Sport dhe stadiumit kombëtar të futbollit “Dardania Arena”, në Bërnicë të Poshtme të Komunës së Prishtinës”, thuhet në komunikatën e këtij dikasteri qeveritar.

“Procedura, që është në zbatim për këtë aktivitet të prokurimit, është Procedura e Kufizuar, e cila ka qenë e hapur për këtë fazë parakualifikuese që nga data 9 qershor 2017 deri më 10 korrik 2017. Gjithsej janë dorëzuar nëntë kërkesa për pjesëmarrje. Kërkesat për pjesëmarrje kryesisht janë Konzorciume/Partneritete ndërkombëtare si nga Anglia, Amerika, Gjermania, Spanja, Franca, Italia, Shqipëria dhe Kosova”, theksohet në kumtesë.

Sipas Ministrisë së Sportit, këto kërkesa për pjesëmarrje do të vlerësohen dhe ekzaminohen nga një komision profesional, i cili në përbërje të tij përveç zyrtarëve të Ministrisë ka edhe përfaqësues të deleguar dhe të autorizuar nga institucionet që mund të japin kontribut në vlerësimin dhe ekzaminimin sa më të drejtë të këtij aktiviteti të prokurimit, ekspertë në lidhje me këtë fushë nga: Federata e Futbollit të Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës i Universitetit “Hasan Prishtina”.

“Gjithashtu, i tërë procesi i vlerësimit dhe ekzaminimit të këtij aktiviteti të prokurimit do të monitorohet, vëzhgohet nga afër nga përfaqësuesit zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit”, thuhet në njoftim. /ZËRI/